18:34 / E Mërkurë, 15 Maj 2019 / indeksADMonline

Deputetët e opozitës nuk lejohen të hyjnë në Parlament

Disa deputetë venezuelas të opozitës akuzuan forcat e rendit, si dhe shërbimet sekrete, se kanë bllokuar hyrjen në Parlament, para debatit që i kushtohet mandateve të arrestit për dhjetë kolegët e tyre për pjesëmarrje në kryengritjen e dështuar të 30 prillit.

Sipas parlamentarëve, efektivë të shërbimeve sekrete (Sebin), të policisë dhe të Gardës Kombëtare Bolivariane, kishin bllokuar hyrjet në Parlament, i vetmi institucion venezuelas i kontrolluar nga opozita.

“Agjentët e ‘Sebin’-it kishin rrethuar Pallatin Federal me pretekstin se kishe mjete eksplozive brenda tij. Ne jemi kontrolluar nga agjentët e shërbimeve sekrete”, u shpreh e zemëruar deputetja Manuela Bolivar.

“Kjo nuk ndodh për herë të parë”, vazhdoi ajo duke e cilësuar këtë si një përpjekje për frikësim të parlamentarëve nga ana e pushtetit.

“Qoftë në një shesh publik apo mbi një urë, Asambleja do të vazhdojë të mblidhet dhe seanca do të zhvillohet”, garantoi për median deputeti Luis Stefanelli.

Deputetët pritej të debatonin në lidhje me mandat arrestet e nxjerra kundër kolegëve të tyre nga drejtësia, të cilën e akuzojnë se i përgjigjet vetëm pushteti çavist.