12:50 / E Hënë, 15 Tetor 2018 / indeksADMonline

Deputetët nuk mblidhen as për të votuar Projektligjin për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë projektligjin për kompleksin memorial në Prekaz, pasi që nuk ka pasur kuorum.

Kryetari i komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Muharrem Nitaj, ka kërkuar që të hiqet nga rendi ditës, por prapë është hedhur në votim.

“Vërtetë projektligji për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ është i një rëndësie të jashtëzakonshme, është shtyrë dhe nuk është votuar për gjithë atë kohë. Po shohim që edhe sot gjasat janë shumë të vogla që të kalojë ky projektligj. Ne e kemi vizituar Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ si komision dhe e kemi parë që vërtetë një gjendje katastrofike në mbajtjen e kullave të Jasharajve. Është i një rëndësie të madhe kalimi i këtij projektligji, por meqenëse numrat janë siç janë unë propozoj që votimi i këtij projektligji të shtyhet për mbledhjen e ardhshme dhe të mos dërgojmë një mesazh shumë të keq që po nxjerrët në votim dhe nuk po kalon”, tha Nitaj.

Për këtë projektligj ka reaguar edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, i cili ka thënë se ky projektligj është dashur të kalojë qysh herën e parë. Madje ai ka fajësuar LDK-në dhe VV-në që nuk kanë qenë në sallë për ta votuar këtë projektligj.

“Kam një kërkesë ndoshta për grupimet politike opozitare VV dhe LDK që nuk janë këtu, mendoj që është dashur të jenë këtu pranë sallës dhe kur të vije radha e këtij projektligji të futen brenda dhe të votojnë. E dimë si është gjendja në memorialin “Adem Jashari” në Prekaz  dhe mendoj që është një papërgjegjësi totale e të gjithë deputetëve, grupeve politike, nëse nuk votohet edhe sot ky projektligj”, tha Hoti.Seanca është duke vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës./Indeksonline/