13:29 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Deputetët shprehin shqetësimin e tyre për ndarjen e 10 milionë eurove për energji elektrike në veri të vendit

Sot anëtarët e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione kanë diskutuar lidhur me ndarjen e mjeteve në vlerë prej 10 milion euro nga ana e Qeverisë së Kosovës për pagesën e shpenzimit të rrymës në veri të Kosovës, transmeton IndeksOnline.

Besa Ismaili, nga radhët e PDK-së, ka thënë se në këtë takim është kërkuar që të mos ketë trajtim të pabarabartë të qytetarëve të Kosovës, duke u paguar borxhi qytetarëve në veri të Kosovë, e duke bërë kësisoj diskriminim për pjesën tjetër të qytetarëve.

 “Në takim patëm edhe kryesuesin e komisionit për Financa, Hekuran Murati, i cili na sqarojë këtë vendim duke na thënë se ai është marrë në bazë të kërkesës që është bërë për ta. Ai ka thënë se edhe buxheti për KOSTT do të shtohet në 7-8 milionë euro. Ne kemi kërkuar që të mos ketë trajtim të pabarabartë të qytetarëve”, tha Ismaili para gazetarëve.

Ankesat e zyrtarëve nga KEK, përkatësisht inkasantëve, se nuk kanë siguri për të shkuar në veri për të faturuar faturat sipas Ismailit nuk qëndron.

“Na kanë thënë se ne nuk kemi siguri në pjesën veriore, ne dje si komision kemi qenë në pikat kufitare dhe kemi vizituar familje  në veri. Siguria fizike  nuk do të duhej të ishte arsyetim për këtë humbje”, theksoi ajo.