Reagon Edi Rama: Asnjë udhëtim privat me paratë e shtetit
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të një videoje që, sipas tij, e paraqet në mënyrë të pasaktë gjatë një qëndrimi në Basel të Zvicrës.
Rama deklaron se udhëtimi ishte privat dhe i lidhur me ftesën e panairit të artit “Art Basel”, duke theksuar se të gjitha shpenzimet janë mbuluar personalisht prej tij dhe jo nga buxheti i shtetit.
Ai e cilëson rastin si një tjetër shembull të shpifjeve në rrjetet sociale dhe riafirmon se gjatë gjithë karrierës së tij publike nuk ka përdorur fonde shtetërore për udhëtime apo pushime private.

Reagimi i plotë:
Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit..
Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.
Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.
Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona.
Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”:
Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!
Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale.
Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.
Dhe mos e harroni asnjëherë:
Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe gjelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja.
Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi.

