13:58 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Deputetëve nuk u intereson pse shefi i AKI-së shoqëroi Thaçin në veri

Për dy orë rresht drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni, ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për mbikëqyrjen e kësaj agjencie, mirëpo ai nuk është pyetur se pse të shtunën e ka shoqëruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, në vizitën e tij tek liqeni i Ujmanit.

Pas takimit për media ka folur vetëm kryetarja e këtij komisioni Ganimete Musliu, e cila ka thënë se nuk e kanë parë të arsyeshme që të pyesin për shoqërimin që Maxhuni i ka bërë Thaçit në Ujman.

Ajo u shpreh se drejtori i institucionit më të lartë të sigurisë në vend në detaje i ka informuar për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur, ndërkohë që ka thënë se siguria në Kosovë është e qetë.

“Besoj që nuk ka diçka shkelje ligjore sa i përket pjesëmarrjes së drejtorit aty, kështu që nuk i kemi bërë pyetje sepse nuk na është dukur që ka pasur ndonjë shkelje pse ka qenë pjesë aty”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sa i përket vrasjes që javë më parë kishte ndodhur në ndërtesën e AKI-së, Musliu ka thënë se dinë gjithçka që është e lejueshme të dinë, ndërkohë që ka thënë se me rastin po merret Prokuroria.

“Ne kemi kërkuar përgjegjësi, kemi kërkuar disiplinë, kemi kërkuar rregull brenda institucionit dhe kemi kërkuar zero tolerancë sa i përket rasteve të tilla në aspektin e sigurisë në përgjithësi, jo vetëm për rastin. Por, duke e ditur që AKI-ja është institucioni më i lartë i sigurisë dhe është dera e parë ku njerëzit e vlerësojnë sigurinë në vend, kemi kërkuar që të kenë kujdes të shtuar dhe thjeshtë rasti siç ka ndodhur mos të përsëritet më apo edhe të mos ketë tendenca për t’u përsëritur. Nuk është një rast i veçantë që ka ndodhur vetëm tek ne, kemi raste edhe në shtetet tjera, fatkeqësisht ka ndodhur tek ne dhe uroj dhe shpresoj që shumë shpejt prokuroria të del me verdiktin e fundit pa dashur të lëshohem më tutje… Nuk jam unë ajo që e gjykojë futjen e armës pa leje, unë thjeshtë mund të informohem rreth ngjarjes, por është dikush tjetër që merret me penalizimin e atij që e ka futur armën jo unë”, është shprehur Musliu.

Javë më parë Musliu kishte paralajmëruar se kur të jetë drejtori i AKI-së në raportim në komision do të kërkojnë shkarkimin e kryeinspektorit të përgjithshëm të AKI-së Shkëlzen Sopjani. Megjithatë sot nuk e kanë bërë një kërkesë të tillë, pasi sipas Musliut është diskutuar vetëm për punën e drejtorit.

“Të them të drejtën sot jemi marrë vetëm me punën e drejtorit, nuk jemi marrë me rastin e inspektorit. Kemi folur vetëm për kompetencat, ju e dini që me ligjin e AKI-së kompetencat e drejtorit edhe të inspektorit janë të ndara. Nuk është drejtori ai që e emëron ose e shkarkon inspektorin dhe për këtë arsye nuk i kemi kërkuar ose nuk i kemi rekomanduar”, tha ajo.

Krejt në fund kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së Ganimete Musliu, ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se qytetarët nuk duhet të brengosen për sigurinë në vend.

Temat: