75 Mall Live Search
16:15 / E Enjte, 13 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për agjentin e rrejshëm të AKI-së

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Edmond Jetullahun i cili dyshohet për shkak të veprave penale Falsifikimi i dokumentit, prezantimi i rremë dhe spiunazh.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.J me datë 1 dhjetor 2010 kishte përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal me të cilin kinse e ka themeluar marrëdhënien e punës në Agjensinë Kosovare të Inteligjencës, me pozitë udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit, po ashtu kishte përdorur dokumentin – vendimin e falsifikuar të Qeverisë së Kosovës në të cilin kishte themeluar marrëdhënien e punës duke u vetëpunësuar si zyrtar i Agjensionit Kosovar të Inteligjencës, në pozitën Udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit, ashtu që ishte prezantuar rrejshëm si zyrtar i AKI-së me qëllim që t’i shmanget kontrolleve nga organet përgjegjëse dhe  duke u paraqitur si zyrtar i AKI-së kishte mbledhur të dhëna dhe dokumente të falsifikuara duke krijuar qasje në dokumente dhe të dhëna të besueshme.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.J është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsëris veprat e njëjta apo të ngjashme penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./