18:23 / E Diele, 08 Prill 2018 / indeksADMonline

Deputeti i AAK-së: Opozitës s’i duhen zgjedhjet, është e çakorduar

Zyrtarët e AAK’së kanë dhënë vlerësime negative për partitë opozitare që po kërkojnë zgjedhje të reja. Muharrem Nitaj ka thënë se opozita aktuale është e çakorduar dhe nuk i duhet as zgjedhjet e jashtëzakonshme. Megjithëkëtë, ai ka thënë se nëse ndodhin zgjedhjet, AAK do të jetë gati.
Opozita është e çakorduar. Ky është konstatimi i deputetit të AAK’së, Muharrem Nitaj, kur flet për kërkesën e LDK’së dhe Vetëvendosjes për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kërkesat për zgjedhje janë veprimtari politike normale e disa eksponentëve te opozitës, por qe te jemi krejt te sinqerte, as opozitës sot nuk i duhen zgjedhjet”, ka thënë Nitaj, në një bisedë për Express.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës ka 52 vota në Kuvendin e Kosovës. Është duke funksionuar si Qeveri e pakicës pas largimit të Listës Sprksa.

Megjithëkëtë, edhe në radhët e opozitës nuk janë 61 vota për rrëzimin e Qeverisë. Vetëvendosje, e ndarë në dy grupe, është e përçare sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Muharrem Nitaj ka një përgjigje për gjendjen e krijuar pas largimit të Listës Sprska nga Qeveria që ka mbetur e pakicës.

“Është e vërtete qe qeveria ka pak numra, por edhe opozita është e çakorduar dhe pjesa dërmuese e saj as qe i ka si opsion zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Por, as ky zyrtar i AAK’së nuk përjashton krejtësisht zgjedhjet. Madje, ka një shpjegim interesant kur flet për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt.

“Por Kosova është vend i çudirave dhe gjithçka është e mundur. Ne as nuk i ngjajmë kujt e as kush na përngjet neve. Vetëm se logjika e gjerave i përjashton zgjedhjet si opsion. Por nëse kjo ndodhe, aak është aty”, ka thënë Nitaj, i cili është anëtar i Kryesisë së AAK’së.

Ramush Haradinaj po vazhdon të mbetet Shef i Qeverisë edhe pse ka mbetur me 52 vota në Parlament. Në krye të Qeverisë, Haradinaj ka ardhur pasi kishte lidhur koalicion me Kadri Veselin e PDK’së.

Haradinaj ka refuzuar të japë dorëheqje, duke thënë se do të vazhdojë të rrijë në Qeveri.

Gjatë kohës së koalicionit PDK-AAK, disa prej vendimeve kryesore që janë marrë janë: ratifikimi i demarkacionit dhe fillimi i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Është tejkaluar edhe problemi i blerjes së energjisë elektrike.

Por, në anën tjetër, Qeveria ka marrë disa vendime kontroverse, siç ishte rritja e pagave për gjithë zyrtarët e Qeverisë, falja e borxheve, shkarkimi i disa bordeve dhe emërimin e anëtarëve të rinj të bordeve, të cilët janë anëtarë të PDK’së, AAK’së.