21:17 / E Premte, 09 Mars 2018 / indeksADMonline

Deputeti i dorëhequr nga Vetëvendosje që tani kundërshton gazin lotsjellës

Gazeta zvicerane “Aargauer Zeitung” ka zhvilluar një intervistë me Faton Topallin, deputetin e Vetëvendosjes  i cili së fundmi ka dhënë dorëheqje nga pozitat në këtë parti për shkak të pakënaqësive. Në mesin e pyetjeve të shumta që i janë bërë ka qenë sigurisht ajo për arsyen që e ka shtyrë të dilte nga lëvizja, pjesë e së cilës ishte tash sa vite.

 “Populizmi rritet atje ku politika nuk ofron zgjidhje. Partia Vetëvendosje vërtet ka lancuar tema por në realitet nuk ka prezantuar zgjidhje”, ka thënë Topalli.

“Shumë njerëz të pakënaqur me situatën në Kosovë, kishin ardhur te ne: nacionalistë, ultradjathtistë por edhe ultra majtistë. Unë nuk doja t`i përfaqësoja të gjithë. Unë jam socialdemokrat, në Zvicër i takoj SP-së (Partisë Socialdemokrate). Me ultra-djathtistët, ultra-majtistët dhe me qarqet që duan ta sjellin islamin në politikë, unë nuk kam asgjë të përbashkët. Dhe unë jam – ndryshe nga ajo siç e kërkon pozicioni zyrtar i partisë – për bisedime pa kushte me Serbinë. Kur unë angazhohesha për reforma në kuadrin e partisë, më kritikonin, fyenin dhe shanin”, ka thënë Topalli, përcjell albinfo.

 Pyetjes nëse, megjithatë, me këtë përçarje VV po e humb ndikimin që e kishte, Topalli i përgjigjet me po. “Mirëpo ne nuk e synojmë pushtetin por ndryshimet. Dhe ju mund ta merrni me mend se çfarë do të thotë nëse hip në pushtet një parti që nuk është e gatshme për ndryshime. Unë personalisht e shoh demokracinë jo vetëm si vlerë por edhe si normë detyruese”.

Ndërkaq, i pyetur nëse tash e tutje në Parlamentin e Kosovës do të ketë më shumë gaz lotsjellës, ai përgjigjet: “çështja rreth metodave politike ka qenë një ndër shkaqet e ndarjes. Gazi lotsjellës nuk është më inovativ”, citohet të ketë thënë Topalli.

Rreth mundësisë që grupi i ndarë të dalë me një parti të re,  Faton Topalli thotë se kjo gjë është e mundshme dhe në një rast të tillë, ai preferon që kjo të jetë një Parti Socialdemokrate.