16:36 / E Hënë, 29 Tetor 2018 / indeksADMonline

Deputeti i LDK-së nesër del para gjykatës nën akuzat për vjedhje të rrymës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi nesër do të përballet në Gjykatë, nën akuzat  për vjedhje të rrymës.

Në këtë proces gjyqësor i cili është duke u gjykuar nga Gjyqtari Rrustem Begolli, nesër është e paraparë që të mbahet seanca gjyqësore.

‘Kallxo’ raportoi herën e kaluar se kishte dështuar mbajtja e seancës gjyqësore për shkak se i akuzuari Ramiz Kelmendi nuk ishte paraqitur në gjykatë për arsye të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Në janar të këtij viti, Ramiz Kelmendi  kishte kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria me pretendimin se në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ai nuk ka pasur përgjegjësi ndaj kompanisë.

Sipas kësaj aktakuze, Kelmendi me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme nga data e pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë-Kosovë, e cila është pronë e tij, i kanë shkaktuar dëm KEK- ut në vlerë prej 22.801.19 euro.

Kjo pasi që, sipas Prokurorisë, gjatë një kontrolle të bërë në kompaninë “Elkos” nga punëtorët e KEK-ut, kanë vërejtur se Kelmendi me qëllim të vjedhjes e ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë më tej sqarohet se deri tek ky konkludim nga punëtorët e KEK-ut ka ardhur pasi që janë gjetur dy transformatorë të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, derisa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Si rrjedhojë, Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve dy të tretat (2/3) e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç‘rast edhe e akuzon Kelmendin me veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Kelmendi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e cila i vihet në barrë.