22:07 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Deputeti i LDK-së: PDK-ja vendosi kulturën më të keqe të qeverisjes

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka cilësuar Partinë Demokratike të Kosovës si e keqja e madhe që i ka ndodhur politikës kosovare të pasluftës.

Selmanaj në Zona B  tha se PDK ka vendosur një kulturë të keqe të qeverisjes.

“PDK ka vendosur kulturën më të keqe të qeverisjes në Kosovë. Gjitha gjërat e këqija që ndodhin në këtë vend, për pjesën më të madhe ka faj PDK-ja”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka pasur disa fjalë edhe për liderin aktual të PDK-së, Kadri Veselin, me të cilin i ka pasur ballafaqimet e shpeshta edhe në parlament.

“Tashti në krye të PDK-së është një person që ka udhëhequr një organizatë që vetëm ai e di se çfarë ka qenë. Në fakt ai po merret më shumë me ne se ne me atë”, ka shkruar ai.

“LDK-ja po kthehet fuqishëm dhe tani ai po merret me neve”, tha Selmanaj.

Selmanaj ka shtuar se në krye të parlamentit të Kosovës “nuk e meriton të jetë një njeri si Veseli”.

Një nga deputetët më të votuar të LDK-së kritika ka pasur edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Ka thënë se Ramush Haradinaj ka qenë gati për gjithçka vetëm për interesin e tij personal, ndërsa ka kritikuar Vetëvendosjen se “nuk ka sqaruar pozicionin e vet rreth shtetit tonë dhe një element tjetër është – cili është raporti i tyre me ndërkombëtarët”.