15:46 / E Martë, 27 Shtator 2022 / LB

Deputeti i partisë Guxo për grevën në arsim: Kështu nuk bën me vazhdu, duhet ardhur deri të zgjidhja

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Guxo, Burim Meta ka thënë greva e nisur pesë javë më parë duhet të ndërpritet sa më shpejtë dhe fëmijët t’i kthehen mësimit.

Në një prononcim për Indeksonline, Meta ka thënë se duhet pasur sa më shumë takime, në mënyre që me ardhë deri të zgjidhja, sepse kështu sipas tij nuk bën të vazhdohet.

“Duhet me u vazhdu dialogu social mes qeverisë dhe SBASHK-ut. Duhet me gjete sa më shpejtë zgjedhje dhe me fillu mësimi. Nuk e di se si janë zhvilluar muhabetet mes tyre, por dialogu duhet të vazhdojë. Duhet me pas ma shpesh dhe ma shumë takime me ardhe deri të zgjidhja, kështu nuk bën më”, ka thënë ndër të tjera Meta.

Sa i përket mundësisë për formimin e Grupit Parlamentar të këtij subjekti, ai ka thënë se kanë pasur mundësi më herët që ta formojnë grupin dhe tash pavarësisht se një deputet (Nasuf Bejta) do t’i bashkohet, mundësisë janë më të vogla për ta krijuar grupin.

“Jemi bërë tash 5 deputetë, nevojiten gjashtë për ta pasur Grupin. Synimet e secilës parti politike është me qenë parti parlamentare. Kemi pasur mundësi më herët me qenë grup parlamentar, tash e kemi vështire, por natyrisht tendencat tona janë me pas grup parlamentar”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, Meta ka thënë se partia Guxo po vazhdon konsolidimin e saj dhe se ka një interesim të jashtëzakonshëm të qytetarëve për me u anëtarësuar në këtë subjekt që udhëhiqet nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci./Indeksonline/