20:22 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Deputeti i PDK-së tregon se a i kanë votat për ratifikimin e demarkacionit

Seanca e së mërkurës, ku pritet që deputetët e Kuvendit të ratifikojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ende është e paqartë nëse janë siguruar numrat që kjo çështje të kalojë.

Përkundër asaj që është arritur konsensusi mes koalicionit qeveritar dhe LDK-së, kjo nuk po mjafton që të sigurohen votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit.

Deri më tani ky konsensus i partive ka 78 vota. Ndërsa duhet edhe 2-3 të tjera për kalimin e demarkacionit.

“Indeksonline” ka kontaktuar deputetin e PDK-së, Memli Krasniqin për të mësuar se a i kanë siguruar votat për ratifikimin e kësaj marrëveshje të mërkurën.

Krasniqi është shprehur tejet optimist se e njëjta do të kalojë në legjislativ.

“Pas arritjes se konsensusit te gjerë rreth demarkacionit, ne presim që ratifikimi te kalojë me sukses, në momentin që të vendoset për votim në seancën e ardhshme”, është shprehur Krasniqi për “Indeksonline”.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe janë subjektet parlamentare që po e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Kujtojmë se për ratifikimin e demarkacionit nevojiten 81 vota./Indeksonline/