13:01 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Deputetja e Vetëvendosjes për partinë e re: Ajo listë është shpifje!

Lista me emrat e ish-anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të atyre aktualë, të cilët pretendohej se do krijonin partinë Social Demokrate, po del të jetë e pavërtetë. Të paktën kështu e ka quajtur këtë listë deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Bogujevci e ka quajtur shpifje publikimin e listës në të cilën gjendet edhe emri i saj.

“Është komplet e pavërtetë. Unë kam hy në Lëvizje dhe aty do të mbetem. Nuk po mundem me ditë kush e ka publiku, por është shpifje”, ka thënë ajo.

Ndryshe, në këtë listë janë edhe emri i kreut të Prishtinës, Shpend Ahmetit, pastaj ai i Shqipe Pantinës, Aida Dërgutit, Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut, Qëndron Kastratit, Salih Salihut, e të tjerë.

Ishte deputeti Salihu ai që para pak orëve ka thënë për “Indeksonline” se është pjesë e Vetëvendosjes dhe është ndjerë i befasuar me faktin që i është gjendur emri në atë listë.

Kujtojmë se problemet në Vetëvendosje u thelluan kur në dhjetor të vitit 2017 u publikuan mesazhe nga rrjeti social “Viber”, ku gjatë një bisede në një grup të anëtarëve të Vetëvendosjes Aida Dërguti e kishte quajtur Albin Kurtin “m**”.

Që atëherë, në Vetëvendosje dhanë dorëheqje vet Dërguti, pastaj Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Faton Topalli, etj. /Indeksonline/