12:01 / E Enjte, 14 Janar 2021 / OSH

Dështon tentimi skandaloz i Agim Ademit për “frikësimin” e kundërshtarëve, reagon Beki i ‘89-it

Ka rezultuar e pasuksshme tentativa e Federatës së Futbollit të Kosovës për heshtjen e kundërshtarëve te kryetarit Agim Ademi, pas dënimit njëvjeçar të shqiptuar të mërkurën kundër presidentit të KF Prishtinës, Remzi Ejupi. Një ditë pas dënimit të Ejupit nga Komisioni sisiplinor i FFK-së, një goditje tjetër Agim Ademit i ka dhënë edhe Abedin Zeka, një nga presidentët më të “moçëm” në futbollin e Kosovës. Kreu i Trepçës ‘89 e ka cilësuar të ulët tentativën e FFK-së për heshtjen e kritikëve përmes mekanizmave të federatës.

“Kjo është me shti frikë, mos me fol të tjerët”, ka deklaruar “Beki” në një bisedë me Insportin të enjten. “Çka nëse na dënojnë edhe neve (presidentët e klubeve të tjera), kujt do t’i mbesin, ai kryetari, sekretari, komiteti ekzekutiv, për kë do të ekzistojnë”.
“Beki”, ka deklaruar se FFK-së nuk po i konvenon qëndrimi i mëtejshëm i donatorëve të vjetër në futbollin e Kosovës. “Po, federatës nuk i konvenon ata donatorët e vjetër (Remzi Ejupi) me i eliminu, mos me pas donator të vjetër. Është shumë e pa kuptim federata me dënu një Remzi Ejup, i cili është për mbi 15 vjet në futbollin e Kosovës, një ndër kontribuuesit më të mëdhenj edhe nëse Remziu e ka dhanë një deklaratë, nuk e di çfarë, nuk jam për atë unë, unë nuk e di si e kanë marrë këta federatën, e rrugës ka qenë që kryetari, sekretari, i ashtuquajturi Komiteti ekzekutiv i bërë nga rajonet”.

Numri një i “minatorëve” në fund të bisedës me Insportin deklaroi se nëse dënohen presidentët për mendimet e lira të tyre, kujt do t’i japin përgjegjësi pasi FFK-ja i ka humbur 15 milionë euro me dështimin për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian që do të zhvillohet këtë vit.“Kujt i kanë jep përgjegjësi që na i kanë hup 15 milionë euro, që nuk kanë mundur t’i inkasonin për shkak të moskualifikimit të Kosovës. Është e drejtë e gjithkujt me dhanë mendimin e vet, nëse ka ndonjë dyshim për diçka. Edhe unë, Remziu e çdo kush ka të drejtë me dhanë një mendim, nuk e di deklaratën e Remziut, nashta ka qenë pak e ngutshme, nashta, por këta me u qu edhe me dënu Remziu”. Remzi Ejupi ditë më parë në një intervistë me Insportin ka kritikuar punën 20 vjeçare të krerëve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas Ejupit, një grup i caktuar ka uzupuar dhe ngufatur punën e FFK-së për interesa personale.