11:35 / E Premte, 27 Nëntor 2020 / OSH

Dështon votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i miratonte tri marrëveshje ndërkombëtare.

Duke qenë se për marrëveshjet ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këto tri marrëveshje kanë votuar vetëm 52 deputetë, për çka nuk ka pasur kuorum që ato të miratoheshin.

Kuvendi nuk ka arritur të miratonte Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.

Po ashtu, nuk ka arritur të votohej as Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si edhe Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza, në Gjilan.