22:43 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / k.v

Detaje, ja si u gjet 15 vjeçari i humbur

Pal Hiseni, 15-vjeç nga Gjakova, ishte raportuar i humbur nga babai i tij Nika.

Policia e Kosovës kishte nisur kërkimet intensive për ta gjetur Palin.

Vetëm një ditë pasi u raportua i humbur, Policia e Kosovës e gjeti atë shëndosh e mirë.

Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se Pali është gjetur nga Policia e Fushë Kosovës, afër ndërtesës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Për gjetjen e tij menjëherë është informuar Stacioni Policor i Gjakovës, ku zyrtarët e saj janë nisur menjëherë në drejtim të Fushë Kosovës për ta marrë Palin e gjetur.

“Me datën 13.12.2017, rreth orës 21 e 35 minuta, njësiti reagues i Stacionit Policor në Fushë Kosovë, në afërsi të objektit të AKI-së, ka takuar personin: Pal (Nik)  Hiseni, i lindur në vitin 2002, i cili është raportuar si person i humbur me datën 12 dhjetor 2017 në Stacionin Policor të Gjakovës”, ka thënë për Indeksonline një zyrtar policor.

Sipas tij, personi është sjellë në Stacionin Policor në Fushë Kosovë dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Lidhur me këtë rast është njoftuar Stacioni i Policisë në Gjakovë, ku një njësi e policisë është nisur në drejtim të Fushë Kosovës për ta marrë personin e gjetur./Indeksonline/