09:00 / E Martë, 30 Prill 2024 / AR

Detaje nga ekzekutimi i ish-Missit/ Vrasësit hynë në restorant dhe qëlluan me breshëri plumbash

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i ish-missit nga Ekuadori, Landy Párraga Goyburo.

Ajo u qëllua nga dy persona teksa ishte duke biseduar me një person brenda një restoranti në Quevedo të dielën.

Në një moment ajo i dallon agresorët dhe tenton të përkulet, por një nga personat e armatosur vrapon drejt saj dhe e qëllon me armë.

Sipas “New York Post”, emri i ish-missit u përmend dhjetorin e kaluar në një bisedë midis trafikantit të vrarë të drogës Leandro Norero dhe llogaritares së tij, Helive Angulo.

Gjatë gjyqit të Angulo-s, prokurorët zbuluan se Norero i ishte lutur Angulos në një mesazh për ta ndihmuar që të mbante të fshehtë lidhjen e tij me mbretëreshën e bukurisë.

Pas këtij detaji, dyshohet se atentati ndaj saj lidhet me marrëdhënien me bosin e kokainës.

“Mikesha ime, emri i saj nuk mund të dalë askund. Përndryshe, bota ime do të shembet”, shkruante ai në mesazhe.

Norero njihej si një ndër trafikantët më të mëdhenj në Ekuador dhe mbante pseudonimin “El Patron”.

Ai dyshohet si personi që porositi vrasjen e Ergys Dashit.

Norero u ekzekutua në burg në vitin 2022, ku iu pre koka pas një trazire mes të dënuarve brenda qelive.

Leandro Antonio Norero Tigua, alias El Patron, ishte arrestuar për një rast të pastrimit të parave. ‘El Patron’ u kap për drejtimin e një organizate të lidhur me pastrimin e parave, financuar nga grupe të organizuara kriminale. Në operacion u sekuestruan shufra ari mbi 6 milionë dollarë, armë dhe bizhuteri, shkruan TCh.

Fillimet e Noreros në aktivitetin kriminal datojnë në vitin 2005. Në rininë e tij ai ishte pjesë e Los Ñetas dhe renditej si një nga “trafikantët e padukshëm të drogës” që vepronte në vend.

Gjatë viteve në vijim, Norero thuhet se mori mbështetjen e politikanëve të korruptuar, gjë që e lejoi atë të organizonte rrjetet e trafikut të drogës nga portet e Guayaquil dhe Machala.

Si ndodhi ekzekutimi i Ergys Gashit?

Një nga vrasjet më të bujshme që trazoi jo pak ujërat në qytetinportë e kokainës, ishte edhe ekzekutimi i Ergys Dashit, një të riu nga Durrësi, i cili u vra në një mënyrë tejet mafioze në Guayaquil.

Sipas të dhënave që pasuan ekzekutimin e shqiptarit me 23 janar, u tha se dyshimet binin edhe mbi atë që konsiderohej padroni dhe që dy ditë më parë u sulmua në burg, duke u vrarë në mënyrë brutale. Në fakt, hetimi vendas u shtang për mënyrën se si vrasësit iu afruan shqiptarit, që rezultonte të ishte një person i rëndësishëm në trafikun e kokainës. Duke qenë se në shumicën e vrasjeve të ndodhura dy viteve të fundit në zonën portuale ishin masakra, ekzekutimi i shqiptarit bëri që ngjarja të hetohej për të zbuluar se kush fshihej pas. Atentatorët e shqiptarit shkuan në restorantin ku darkonte shënjestra e tyre por hasën në rezistencën e rojeve të sigurisë së lokalit.

Ata ishin dy persona, treguan rojet, më vonë për prokurorinë. Njëri mbante një buqetë të madhe me lule dhe pas këmbënguljes së rojeve se ata nuk mund të hynin se nuk kishin dokument se ishin të vaksinuar, mbajtësi i luleve atëherë iu lutet! “Dikush aty brenda ka ditëlindjen! Ju lutem vetëm të dërgoi këtë buqetë dhe do të dal menjëherë”! Dhe në fakt ashtu ndodhi. Autori i shkoi në tavolinë shqiptarit e qëlloi me breshëri dhe më pas hyri mes turmës së njerëzve që darkonin dhe doli.

Këta të fundit në dëshminë e tyre thanë se nga gjuha që flisnin linin të kuptoheshin se nuk ishin ekuadorianë, po ndoshta kolumbianë. Dashi, më vonë u mësua se ishte një eksponent i rëndësishëm i trafikut në port, aty ku niseshin tonelata kokaine në drejtim të Holandës, Belgjikës dhe Spanjës. Më pas mediat vendase raportuan se vrasja u porosit nga Leandro Norero.