Detaje/ Zyrtari në Gjakovë u arrestua pasi kishte regjistruar kundërligjshëm një shtetas të Shqipërisë

IndeksOnline pak më parë ka raportuar për arrestimin e një zyrtari komunal të Gjakovës nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Tani rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Gjakovë, ka pranuar informatën se një person i dyshuar ish-zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Gjakovës dyshohet se ka regjistruar një person në sistemin e ARC-së në mënyrë të kundërligjshme. Hetuesit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjakovës, kanë kryer veprime hetimore/operative dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi se i dyshuari me iniciale D. N. kundërligjshëm e ka futur në sistem të gjendjes civile, në mënyrë të kundërligjshme shtetasin e Republikës së Shqipërisë, duke konsumuar kështu veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”:, thuhet në njoftimin e policisë.
Deri tek dyshimet bazike është ardhur pasi për shtetasin J. S. kishte mospërputhje tek disa të dhëna personale të regjistruara në sistem, me ato të certifikatës së kurorëzimit nga Republika e Shqipërisë.
“Identiteti i saktë i shtetasit është kërkuar përmes rrugëve zyrtare nga ku ka rezultuar se personi i dyshuar ka të njëjtat të dhëna si personi i regjistruar në Kosovë përveç datëlindjes. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari D. N. në prezencë të avokatit dhe pas intervistës ndaj të njëjtit nga prokurori i Shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa i dyshuari J. S., shtetas i Shqipërisë, do të intervistohet sapo të sigurohet prezenca e tij”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/