Dhomat e Specializuara vlerësojnë pronat e krerëve të UÇK-së, reagon ashpër OVL-ja
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim të thellë dhe indinjatë lidhur me raportimet se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë duke vlerësuar pronat e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Në reagimin e saj, OVL UÇK-ja thekson se një veprim i tillë nuk mund të konsiderohet thjesht si hap procedural, shkruan IndeksOnline.
Sipas tyre, vlerësimi i pasurive në këtë fazë përbën devijim nga maturia gjyqësore dhe krijon perceptimin e një procesi që po nxiton drejt ndëshkimit, pa pritur një vendim përfundimtar.
Mes të tjerash, në reagim thuhet:
OVL UÇK, i sheh me shqetësim të thellë dhe indinjatë të fortë raportimet se Dhomat e Specializuara të Kosovës po vlerësojnë pronat e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Vlerësimi i këtyre pasurive nuk është thjesht një hap procedural. Përkundrazi, ky veprim braktis maturinë gjyqësore dhe krijon përshtypjen e një sistemi që nxiton drejt ndëshkimit para se të arrijë në një vendim.
Veprime të tilla godasin drejtpërdrejt parimin e prezumimit të pafajësisë, ndërsa gërryejnë besimin e publikut në paanshmërinë dhe drejtësinë e gjykatës.

