19:02 / E Diele, 23 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Dialogu dhe Zhurma

Çështjet si: dialogu teknik, marrëveshjet e Brukselit, mos-respektimi i marrëveshjeve të dala nga dialogu teknik, çka u diskutua e çka s’u diskutua në këtë dialog, për çka u pajtuan e s’u pajtuan palët, janë veç disa nga çështjet që kanë hapur debat.

Për nga natyra e tij, dialogu krijon terren të përshtatshëm që vë në pah mundësitë, por edhe pamundësitë për një marrëveshje. Mosmarrëveshja mban terren të hapur për konfliktin apo një terren të hapur për të mos u marrë vesh edhe në të ardhmen.

Dialogu, pa dyshim se është art në vete. Është proces që kërkon njohuri, përgatitje, analizë, projekt, alternativë, plane alternative, gjithnjë si një rezervë në rast të pamundësisë për marrëveshje. Dialogu do kohë, e koha imponon dialog. Pavarësisht mospajtimeve e rrjedhës që ka çuar drejt mosmarrëveshjeve dhe pavarësisht natyrës së mosmarrëveshjeve, dialogu është forcë që krijon terren për kapërcimin e mosmarrëveshjeve dhe ecjes drejt pajtimit dhe mundësimit të paqes.

Dialogu teknik i zhvilluar në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është zhvilluar si një hyrje në dialog politik. Por, fundja, s’ka dialog teknik që s’është politik, sikur që s’ka dialog politik që s’ka nuanca teknike. Prandaj, të gjithë ata që janë për një lloj dialogu, qoftë teknik qoftë politik, janë pro dialogut.

Pavarësisht natyrës politike a teknike të dialogut, do pasur parasysh që dialog të zhurmshëm dhe zhurmë rreth dialogut ka pasur në vazhdimësi. E, zhurmat, veç prodhojnë situatë për dialog. Porse, është vetë dialogu që duhet t’i përmbyllë a përmbysë këto zhurma. Më shumë se zhurmë, dialogu do duhej të prodhonte dialog. Megjithatë, në kontekstin tonë social-politik e kulturor, dialogu zakonisht prodhon zhurmë që krijon ndarje Ne dhe Ata, zhurmë e cila ka më shumë efekt konsumues medial se sa politik, real. Kjo lloj zhurme prodhon debat i cili s’përmban gjë veçse riciklon zhurmën. Zakonisht, i zhurmshmi del fitimtar dhe kjo merr tipare të një kulture të debatit tonë medial, në tavolinë, në studio televizive, në Kuvend, kudo.

Debati i gjallë për dialogun do e kishte ndihmuar atë, por jo duke u bërë zhurmë.

Por, më shumë se zhurmë, ka mosmarrëveshje rreth marrëveshjes potenciale. Më shumë se zhurmë e mosmarrëveshje, ka marrëveshje për mosmarrëveshje.

Çka prodhon kjo zhurmë e kjo marrëveshje për mosmarrëveshje?

Derisa luftohet për marrëveshje në njërën anë, Beogradi lufton për mosmarrëveshje nga ana tjetër. Luftën e zhvillon pikërisht duke e luftuar shtetësinë e Kosovës, përmes kërkesave për çnjohje dhe përmes pamundësimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Lufton për më shumë zhurmë se sa për dialog ose dialogun e do vetëm për të prodhuar zhurmë. Dhe kjo zhurmë nuk do dialog, por zhurmë që imponon dialog për zhurmë, dialog që s’prodhon marrëveshje dhe fajin e mosmarrëveshjes, përmes zhurmës, e zhvendos tek pala tjetër.

Këtë zhurmë të zhurmshme në të dyja vendet, tek dyja palët, duhet ta ndalë një dialog që prodhon paqe në të dyja vendet, jo veç në terrenin politik-individual, duke prodhuar marrëveshje të pranueshme, të qëndrueshme e të zbatueshme. Ky lloj dialogu do të çonte në drejtim tjetër nga ai i zhurmës, duke mundësuar të flihet qetë, pa zhurmë dhe në paqe me heshtjen që i hesht marrëveshjet për mosmarrëveshje dhe që pa shumë zhurmë qetëson Ballkanin Perëndimor.

Para së gjithash dhe mbi të gjitha, dialogu do dialogim pa zhurmë. Dialogu s’duron zhurmë për mosmarrëveshje. Nëse duron ndonjë lloj zhurme, dialogu duron vetëm zhurmën që përfundon në marrëveshje!

Shkruan: Florent Rrahmani