15:59 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Dialogu jo transparent

Dialog mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në mënyrë jo transparente, pasi askush nuk e di saktë se për çfarë po bisedohet dhe çka po arrihet në fund të secilit raund. Madje, serbët lokalë të Kosovës nuk janë prioritet në dialogun e Brukselit, por vetëm interesat e dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës.

Kështu deklaruan deputetë të Kuvendit të Kosovës në debatin “Pritjet e serbëve të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Qendrën për Paqe dhe Tolerancë.Deputeti i Listës Serbe, Sllobodan Petroviq, tha se ky proces është shumë i nevojshëm, por ka pasur mos transparencë.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, vlerësoi se serbët lokalë të Kosovës nuk kanë qenë prioritet në dialogun e Brukselit. Por sipas tij, dialogu po përdoret nga Serbia për të shtuar prezencën institucionale në Kosovë, derisa Kosova dëshiron që të jetë një shtet i pranueshëm ndërkombëtarisht.

Edhe Jeta Krasniqi nga KDI-ja, theksoi se tani kur po paralajmërohet faza e re e dialogut, pala kosovare duhet të ketë parasysh se qytetarët duan transparencë, pasi deri më tani gjatë këtyre viteve ka munguar transparenca.

Ndërsa, Nenad Maksimoviq nga Organizata për Paqe dhe Tolerancë, u shpreh se problemi në këtë proces është se dialogu është iniciuar nga jashtë, e jo nga brenda, nga vetë palët.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar para gjashtë viteve dhe deri më tani janë arritur disa marrëveshje për fusha të ndryshme.