19:34 / E Mërkurë, 24 Janar 2018 / indeksADMonline

Dialogu Kosovë-Serbi nuk përfundon as këtë vit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se e mbështetë procesin e dialogut me Prishtinën, duke shpresuar në një zgjidhje kompromisi, por nuk mendon që kjo do të ndodhë deri në fund të këtij viti.

“Ne kemi nevojë për një periudhë paqeje dhe stabiliteti më shumë se për çdo gjë tjetër”, ka deklaruar Vuçiq gjatë qëndrimit të tij në Davos si pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror.

Vuçiq ani pse ka folur për procesin e dialogut ai nuk ka treguar se kur do të rinisin bisedimet e ndërprera njëanshëm nga pala serbe si shenjë proteste për vrasjen e liderit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.

Datën e rifillimit të dialogut nuk e dinë ende as institucionet e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar me Qeverinë e Kosovës, të cilët janë shprehur se nuk kanë ende një datë për fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, por që janë të gatshëm ti përgjigjen thirrjes kurdo që ajo caktohet.

“Jo nuk kemi ende një datë, por besoj që shpejtë do të përmbyllet e gjithë kjo. Shumë shpejtë presim që të merret vendimi për vazhdimin e dialogut”, ka thënë për Indeksonline, Avni Arifi nga Qeveria e Kosovës, përfaqësues në dialogun Kosovë-Serbi.

Në raundin e radhës pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani si ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Lirinë e  lëvizjes dhe drejtësinë./Indeksonline/