14:55 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Dialogu me Serbinë, një nga temat që do të diskutohet sot në takimin LDK – VV

​Në takimin e sotëm midis dy grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, temë diskutimi pritet të jetë dialogu me Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPressin pak para takimit, anëtarja e grupit punës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Janë disa çështje, të cilat do diskutohen dhe që i kemi diskutuar pak a shumë edhe në takimin e kaluar. Por sot do të flasin më gjerësisht. Njëra prej çështjeve që do të diskutohet do jetë edhe dialogu me Serbinë besojmë që duke marrë parasysh bashkëpunimin tonë dyvjeçar me LDK-në që kemi pasur në kohën sa kemi qenë në opozitë, ky bashkëpunim na ka shërbyer edhe për harmonizim të qëndrimeve, sepse ju e dini se bashkërisht e kemi kundërshtuar shkëmbimin territorial, bashkë e kemi kundërshtuar Projektligjin për dialogun në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Takimi  midis dy grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së pritet të nisë në orën 15:00 në selinë qendrore të LVV-së në Prishtinë.

Këto dy subjekte, pritet të diskutojnë edhe rreth harmonizimit të programit qeverisës, rreth politikave të brendshme dhe atyre të jashtme.