14:05 / E Enjte, 24 Dhjetor 2020 / A. S

Diaspora meriton respekt dhe mirënjohje

Shkruan: Alma Lama

Një shpirt i ndarë! Ky ndoshta është përkufizimi më përmbajtësor, më i saktë dhe më i shkurtër i emigrantit, i atij që detyrohet të lërë atdheun e tij për një arsye kryesisht ekonomike dhe të shkojë në vende të huaja.

Nuk është përkufizim i imi, por e solla për ta bërë lajtmotiv të këtyre rreshtave që do shkruaj më poshtë e që janë bindja ime e thellë.Vitet e fundit në vazhdimësi hapen debate mbi diasporën kosovare në rrjetet sociale, debate për atë se çfarë përfaqësojnë pjesëtarët e diasporës, dhe raportin e tyre me vendlindjen.

Në vrullin e banaliteteve që ka përfshirë një pjesë të mirë të popullsisë fejsbukiane, të bie në sy një lloj mosmirënjohje, refuzimi, superioriteti, apo edhe përbuzje për atë pjesë të kombit që jeton larg, që është i shkëputur nga trungu fizikisht por jo mendërisht e shpirtërisht.

Duke përzgjedhur fjalët më të lehta të mundshmet, mund të thuhet se ka mendjelehtësi dhe paragjykime për këtë pjesë vitale të kombit, që edhe pse jeton larg, vazhdon të japë kontributin e vet të gjithanshëm kudo që janë për vendlindjen.

Nuk e kam fjalën vetëm për paratë që sjellin, për investimet e huaja ku janë ata pjesëtarë të diasporës që kthehen garancë për sukses për kompanitë e huaja, në një vend të zhytur në korrupsion, për ato vajza dhe djem të sukseshëm në muzikë, art, sport, shkencë që janë krenari e të gjithë shqiptarëve.

Diaspora e sotme përbëhet nga qindra mijëra vajza e djem të rinj, që studiojnë në universitetet më të nmira të Europës e SHBA-së, dhe nëse do të kishte një qeveri vizionare të Kosovë do të bënte plane për t’i kthyer e për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik, teknologjik, kulturor e arsimor.Janë ky brezi i dytë i emigrantëve të diasporës që jo vetëm e gjjenë vetëm shumë mirë të integruar në shoqëritë ku jetojnë, ndryshe nga drama e prindërve të tyre që lanë vendlindjen në kushtet e represionit serb, të luftës apo mungesës së vendeve të punës pas luftës në Kosovë, që mund dhe duhet të shihet si një pasuri kombëtare e Kosovës.

Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se pa diasporën dhe kontributin e saj të madh, populli i Kosovës nuk do të kishte mbijetuar në vitet ’90, pavarësisht se dikush e ka keqpërdorur buxhetin dhe sakrificën e tyre.Pa diasporën, ekonomia e Kosovës edhe sot do të ishte në kolaps.Sa i ftohtë e zemërlig duhet të jesh për të mos kuptuar dikë që largohet nga vendi i tij, që jeton me mall të perhershëm, që në shpirtin e tij ka gjithmonë një mungesë, që i sëmbon zemra sa herë i bi në mend se ka lënë të afërmit, që largësia i tkurr përditë e nga pak, që shpesh jetojnë si mes dy botësh, as plotësiht atje ku janë, e as në vedlindje, që jetojnë me dëshirën e përhershme për tu kthyer, e me pamundësinë e përhershme për ta realizuar këtë?

Nje pjesëtar i diasporës, një emigrant ndeshet me vëshirësi pa fund në vendin ku shkon, me integrimin e vështirë, me vendet e punës së dorës së dytë, pasi zyrat nuk i rezervon asnjeri për ta, me rrethin shoqëror që të imponohet varësisht nga vendi i punës, që shpesh mund të jetë jo ai i vendit pritës por i komunitetit të emigrantëve të vendeve të tjera. Një emigrant në vendin e tij mund të ishte edhe mjek, inxhinier, profesor por i është dashur të sakrifikojë gjithçka për shkak të rrethanave dhe të mos realizohet në jetë.Përpjekjet për të ruajtur identitetin kombëtar, gjuhën dhe traditat, përpjekjet për të mos humbur lidhjet me bashkëatdhetarët janë gjithashtu për tu vlerësuar pasi nuk janë të lehta si në rrafshin praktik për shkak të punës, nxjerrjes së jetesës, ashtu edhe të atij kulturor, ku secili e gjen veten të vërshuar nga kultura dhe traditat e vendit pritës

.Si ambasadore e Kosovës në Itali, pata rastin të kuptoj më mirë komunitetin shqiptar, si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, të njihem më nga afër me angazhimet dhe sakrificat e tyre të përditshme, brengat dhe përpjekjet e tyre për të qëndruar të lidhur me atdheun, por njëkohësisht për tu integruar në shoqëritë ku jetojnë.Jeta e tyre nuk është aspak e lehtë, mbijetesa në vende të huaja po bëhet përditë e më e vështirë, dramat e modernitetit i përfshijnë edhe ata dhe familjet e tyre, e mbase pak më shumë se ne të tjerëve.Prandaj, si bashkëkombas të tyre, na takon t’i mirëpresim në çdo kohë, t’i duam e t’i respektojmë, të jemi mirënjohës për kontributin e tyre dhe t’iu hapim dyert për tu rikthyer kurdo që dëshirojnë.

Prishtinë, 23.12.2020