13:30 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Dija e studentëve të UP-së, bazuar në skripta

Në Universitetin e Prishtinës një pjesë e lëndëve bazike mësohen përmes skriptave, sllajdeve dhe përmbledhjeve të ligjëratave. Kjo formë e studimeve nuk garanton cilësi bazike, e të mos flasim për cilësi shkencore, pasi që në të gjitha fakultetet e UP-së publikohen vetëm tri revista shkencore, cilësia e të cilave konsiderohet pa kontribut shkencor edhe nga vetë rektorati i UP-së

Mësimi me skripta në vend të librave po vazhdon ende në Universitetin e Prishtinës (UP). Në shumë departamente të UP-së, lëndët obliguese mësohen me skripta, përmbledhje ligjëratash, sllajde si dhe me literaturë alternative, e deri tek testet “e rrjedhura” që shpërndahen si literaturë për provime, të cilat nuk kanë cilësi akademike, por kanë përmbajtje të përgjithshme.

Mësimi në këtë formë bëhet për dy arsye: e para se mungojnë librat bazë dhe e dyta për atë literaturë që është në dispozicion, bëhet përmbledhje në formë të eseve apo të testeve dhe studentët shpesh ia dalin ta kalojnë provimin në këtë mënyrë. Në këtë hulumtim janë marrë për bazë vetëm lëndët obliguese,  e jo edhe ato zgjedhore.

Preportr ka bërë një hulumtim të literaturës në Fakultetin Juridik, Ekonomik, Filozofik dhe të Edukimit dhe ka biseduar me studentë të këtyre fakulteteve se si i zhvillojnë mësimet në departamentet e tyre dhe sa kanë libra bazë për lëndët obliguese.

Disa nga studentët që pranuan të flasin me ekipin e Preportr thonë se mungesa e librave bazë është një mangësi e madhe për ta pasi u pamundëson që të thellojnë njohuritë e tyre në fusha të caktuara. Me ata që biseduam thonë se literatura e ofruar në gjuhën angleze është adekuate për lëndët përkatëse, por fatkeqësisht nuk është në shërbim të tyre, pasi që nuk e dinë këtë gjuhë në nivelin sa ta kuptojnë sa duhet literaturën akademike. Por ka edhe nga ata që kjo formë e studimeve përmes skriptave dhe përmbledhjeve të ligjëratave u përshtatet, pasi që e kanë më lehtë që t’i kalojnë provimet.