“Dikush po rren”, ASK dhe ministri Murati japin shifra kundërthënëse për numrin e vizitorëve të huaj
Ministri i Financave Hekuran Murati, ka publikuar disa shifra, sa i përket të hyrave buxhetore në Aeroportin “Adem Jashari”.
Murati ka thënë se të hyrat buxhetore në ANP kanë shënuar rritje të theksuar gjatë katër viteve të fundit dhe se kjo vjen si rezultat i shtimit të numrit të pasagjerëve, kryesisht nga mërgata jonë, por edhe si rezultat i shtimit të numrit të vizitorëve të huaj.
Por shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) flasin krejt diçka tjetër.
Sipas të dhënave të ASK-së numri i vizitorëve të huaj në Kosovë ka rënë.
Sipas raportit të ASK-së, numri i turistëve të huaj të cilët vizitojnë Kosovën, ka rënë në gusht të këtij viti për 0,5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjatë gushtit, Kosovën e vizituan 45 mijë e 498 vizitorë.
Ndërkaq në gusht të vitit të kaluar numri i vizitorëve ishte 45 mijë e 711 vizitorë. Ndërkaq numri më i madh i vizitorëve të huaj është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
“Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (Gusht 2023) ka ulje të vizitorëve për 0,5%. Në total ishin 45 498 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Gjermania, Shqipëria, Zvicra, SHBA etj”, thuhet në raportin e ASK-së./Indeksonline/