23:26 / E Enjte, 08 Nëntor 2018

Disa ilaçe natyrale për të riforcuar thonjtë tuaj

A dini të kujdeseni për thonjtë tuaj? Për t’i pasur të fortë dhe të shëndetshëm, por edhe të bukur, mund të provoni ilaçet natyrale. Absolutisht, nuk duhet të humbni disa prej këtyre më poshtë!

Për të pasur duar perfekte, nuk mjafton vetën të bëni një manikyr të bukur. Është e nevojshme të kuroni edhe thonjtë tuaj. Ndonjëherë trajtimet që i bëni janë shumë të dëmshme për ta, duke filluar nga ushqimi e deri tek abuzimi me smaltin dhe përdorimin e pastruesit për ta. Si t’ia bëni atëherë për t’i bërë më të fortë? “Fanpage” sugjeron pesë ilaçe natyrale për përkujdesjen e thonjve.

Vaj dhe limon

Dëshironi të keni thonj të fortë dhe të shkëlqyeshëm? Përgatitni në shtëpi një përzierje me një lugë gjelle lëng limoni dhe dy me vaj ulliri. Përziejini mirë bashkë dhe vendosini majat e gishtave për të paktën dhjetë minuta në një tas ku do të keni hedhur këtë përzierje. Përsëriteni këtë trajtim në ditë të alternuara për të paktën një muaj.

Vaj ricini

Është një përbërës i duhur për të riforcuar edhe qerpikët, jo vetëm thonjtë, është i përsosur nëse këtij vaji esencial i shtoni pak lëng limoni ose vaj ulliri të virgjër. Këta përbërës futini në një shishe të vogël boshe (shishe acetoni) dhe më pas, çdo mbrëmje aplikojeni mbi thonj me pak pambuk. Sigurisht, thonjtë duhet të jenë natyralë, pa manikyr dhe shumë të pastër.

Soda e bukës

Soda e bukës shërben për të riforcuar thonjtë, është perfekte si përbërës shëndetësor për ta. Bashkë me sodën e bukës, përzieni edhe pak lëng limoni dhe një lugë gjelle vaj ulliri, deri sa të përfitoni një përbërës kremoz. Masazhojeni mbi thonj me lëvizje rrethore.

Avokado

Kjo frutë ka shumë të mira dhe organizmit tuaj mund t’i sjellë shumë përfitime, por vetëm nëse bashkohet me të verdhën e vezës dhe me pak lëng limoni. Kështu do të bëni një përzierje ushqyese për thonjtë tuaj. Nga ajo do të përfitojnë edhe duart. “Ilaçin” e përfituar masazhojeni në mënyrë delikate dhe lëreni ashtu për dhjetë minuta përpara se ta shpëlani.

Hudhra

Duket si një “ilaç” i çuditshëm, por shfrytëzimi i një thelpi hudhre mbi thonj mund t’i bëjë ata vërtet më të fortë dhe rezistent. Era e mund të jetë e bezdisshme, ndaj ju këshillohet ta përdorni shumë përpara se të flini apo të shkoni në shtrat. Nëse vërtet nuk e duroni aspak erën e hudhrës, atëherë pasi të lani duart, e t’i fshini, lyejini ato me pak vaj bajameje dhe vishni një palë doreza të holla dhe të buta. Në mëngjes do të keni duar shumë të buta dhe thonjtë tuaj do të duken më të fortë.

Kujdesi për duart

Lëkura e duarve është shumë e hollë. Ajo përmban një numër të vogël gjëndrash dhjamore dhe çdo ditë i ekspozohet rrezeve të diellit, të ftohtit etj… A e keni ditur se larja e duarve përveç se largon papastërtinë, largon edhe yndyrën mbrojtëse? Për këtë arsye, është me rëndësi që duarve t’u ofroni kujdesin e duhur me anë të kremit përkatës, i cili duhet të jetë i pasur me substanca ushqyese dhe vitamina, sidomos vitaminë E.

Mos hezitoni që t’i lyeni duart me kremin mbrojtës dhe ushqyes, çdo ditë pas larjes së tyre. Kjo nuk do t’ju marrë shumë kohë dhe me kalimin e viteve do ta falënderoni veten për kujdesin që i keni kushtuar. Duart e plasaritura dhe të thata kanë nevojë për kujdes shtesë. Para gjumit, lyejini ato me krem për lëkurë të thatë me shtresë të trashë. Gjatë natës, ndërsa flini, lëkura rigjenerohet. Për duart e thata dhe të dëmtuara, ilaç i mirë janë edhe maskat ushqyese dhe serumet.