01:09 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Disa veprime të thjeshta që do t’ju ndihmojnë të jeni më kreativë

Për disa njerëz kreativiteti është shumë i rëndësishëm, pasi lidhet drejtëpërdrejt me punën e tyre. Edhe nëse bëni pjesë në këtë grup, ndonjëherë mund të ndjeni se ju ka humbur kreativiteti. Kjo është diçka që mund t’u ndodhë të gjithëve, por çfarë mund të bëni për ta zgjidhur? Disa veprime të thjeshta mund t’ju ndihmojnë shumë.

Dëgjoni muzikë

Muzika stimulon disa pjesë të trurit që lidhen me kreativitetin. Nëse ndiheni sikur “keni ngecur”, provoni të dëgjoni diçka që në gjendje normale nuk do ta dëgjonit kurrë. Kjo mund t’ju frymëzojë.

Shkruani me stilolaps

Ndonjëherë, gjithçka që duhet të bëni është të mbyllni laptop-in dhe të merrni një laps dhe letër. Hidhini mendimet aty, do të shihni që do ta keni më të thjeshtë se në kompjuter.

Dilni jashtë

Ajri i pastër stimulon imagjinatën dhe si rrjedhojë rrit kreativitetin. Një shëtitje në natyrë do t’ju ndihmonte shumë.

Bëni diçka me duart tuaja

Nëse ndjeni që ju mungon kreativiteti, provoni të lëvizni duart duke u marrë me ndonjë punë, gatim, pikturë, qëndisje apo me diçka që ju jep kënaqësi.

Ëndërroni me sy hapur

Mund të jeni shumë të zënë dhe të mos keni kohë për ëndrra me sy hapur, por ndonjëherë kjo gjë është shumë e mirë për kreativitetin tuaj. Kështu që, jepini mendjes suaj pak kohë për të imagjinuar.