75 Mall Live Search
15:39 / E Hënë, 01 Qershor 2026 / P M

Dita Botërore e Qumështit, ministrja Kusari-Lila premton mbështetje për fermerët dhe përpunuesit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në mini-panairin e organizuar në Gjakovë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me rastin e Ditës Botërore të Qumështit, ku u promovuan produktet vendore të qumështit dhe puna e fermerëve dhe përpunuesve kosovarë.

Në këtë aktivitet, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, përfaqësues të shoqatave të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, si dhe fermerë nga e gjithë Kosova, u diskutuan sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të këtij sektori me rëndësi për ekonominë vendore.Ministrja theksoi se Qeveria është duke punuar në finalizimin e Ligjit për Tregtinë e Brendshme dhe Ligjit për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, të cilët pritet të forcojnë pozitën e produkteve vendore dhe të rrisin sigurinë në marrëdhëniet biznesore.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se janë lansuar skemat e reja të granteve për mbështetjen e bizneseve dhe grave ndërmarrëse, përfshirë edhe gratë fermere, me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe fuqizimin ekonomik të tyre.

Sipas Kusari-Lilës, mbrojtja e konsumatorit mbetet prioritet i institucioneve, duke theksuar intensifikimin e inspektimeve për identifikimin e qartë të produkteve me bazë bimore dhe shtazore në treg.

Ajo vlerësoi se industria e qumështit është një nga shtyllat kryesore të prodhimit vendor dhe se përmes reformave ligjore, mbështetjes financiare dhe politikave zhvillimore po krijohen kushte më të mira për fuqizimin e prodhimit vendor dhe rritjen e pranisë së produkteve “Made in Kosova” në treg.