21:57 / E Mërkurë, 20 Maj 2020 / indeksADMonline

Dita e 69-të e COVID-19 në Kosovë, numri i të infektuarve kalon në 1 mijë e tre persona!

Sot është dita e 69 prej kur në Kosovë janë konfirmuar rastet e para të prekur me koronavirus.

Që nga kjo datë deri më sot numri i të infektuarve ka arritur në 1 mijë e tre persona.

Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sonte janë shtuar edhe 14 raste si të prekur me COVID-19, teksa janë shëruar vetëm tre persona në 24 orë.

Por që nga data 8 shkurt deri më sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 12 mijë e 406 persona të dyshimtë për virusin SARS-CoV-2, shkruan Indeksonline.

Nga këto raste të regjistruara anembanë Kosovës humbën jetën 29 persona, të cilët patën edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Kurse numri i të shëruarve në vend sot ka arritur në 772.

Duhet përkujtuar që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19, institucionet përgjegjëse shtetërore ndërmorën masa nga më të ndryshmet për parandalimin e shpërndarjes dhe përfundimin sa më lehtë të këtij virusi.

Përpos orarit që iu caktua qytetarëve për dalje dhe qarkullim, shumë prej qyteteve u vendosën në karantinë teksa Qendra Studentore në Prishtinë u shndërrua në karantinë për të gjithë kosovarët që ktheheshin nga vendet e huaja.

Deri para pak ditëve qëndrimi në konvikte ishte 14 ditorë, ndërsa të kthyerit tani kanë për detyrë të qëndrojnë vetëm një javë.

Që nga e hëna e kësaj jave, Kosova hyri në fazën e dytë të masave lehtësuese lidhur me gjithë zhvillueshmërinë e këtij virusi, ku përpos që qytetarëve iu lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, shumë prej bizneseve kanë filluar edhe punën.

Pritet që deri më 1 qershor të përcillet zhvillueshmëria e këtij virusi që vazhdon të jetë prezent në vend, që të vendosen nëse vazhdohet me fazën tjetër lehtësuese.

Qytetarët janë këshilluar që të vazhdojnë të kenë kujdes sa i përket mirëmbajtjes së higjienës dhe preferohet që të dalin sa më pak të munden, në mënyrë që t’u përmbahen këshillave të ekspertëve të cilat janë dhënë gjatë gjithë këtyre dy muajve që kaluan.

Madje është theksuar se rreziku nga ky virus ekziston ende dhe se duhet pasur shumë kujdes deri në largimin e përgjithshëm të tij./Indeksonline/