75 Mall Live Search
23:35 / E Premte, 22 Nëntor 2024 / MSH

Dita e Alfabetit/ Këta ishin delegatët e Kongresit të Manastirit

Shqipja ishte në portat e mëdyshjeve dhe dilemave të mëdha. Shoqëri dhe grupime intelektualësh vullnetmirë kishin endur me përkushtim dhe përgjegjësi patriotike germat e shqipshkrimit.

Sekush po rrekej të shkruante këtë gjuhë të të parëve, por pa mundur të rroki gjithë shqiptarët në këtë ligjërim dijetues. Fati i shqipes dhe këndimit shqip, i kombit dhe historisë tij duhet me doemos të tubohej në një kuvend zemrash të flakëruara për arbër.

Dhe ishte ai, Kongresi i Manastirit, ose i ashtuajturi Kongresi i Alfabetit, njaj kuvend, ishin njata burra fort të dishëm por ma fort të kurajshëm që do të merrnin mbi vete barrën e rëndë të mëvetësimit të gjuhës, si paraprijës së Shqipërisë së pavarur.

Ky Kongres ishte dhe mbeti një prej akteve me rëndësi historike për ardhmërinë e kombit shqiptar, për rivlerësimin e të drejtës së vetvendosjes për legjitimimin e hyjnores, gjuhës shqipe.

Bota, por jo më pak edhe shqiptarët e përpirë nga murtaja osmane, duhet të përballeshin mbi këtë akt të pashembullt të nismëtarisë së fateve të kombit, që zë fillin prej nga dija.

Pjesëmarrësit janë të radhitur, ashtu siç paraqiten në fotografi duke shënuar dhe klubin, shoqërinë apo qytetin që përfaqësonte:

Rreshti i parë (nga lart-poshtë majtas):

Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina (i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqërisë “Agimi”).

Rreshti i dytë:

Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri(i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).

Rreshti i tretë:

Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë-Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (i Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (i Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit).

Rreshti i katërt:

Refik Toptani (i Tiranës), Çerçiz Topulli, Mihal Grameno (i Korçës), anash dy patriotë jo delegatë.

Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës, por që mungojnë në këtë fotografi edhe Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibrahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit).

FOTO - HISTORIA E DITËS SË ALFABETIT/ Ja cilët ishin