20:44 / E Premte, 15 Mars 2019 / indeksADMonline

“Dita e errët” e Zelandës së Re

Shkruan: Halil Matoshi

Kthimi në gjendjen natyrore me armët ”jonatyrore”

Mendja e instrumentalizueme kriminale nuk e projekton mâ vrasjen e tjetrit/tjetres, për arsye diversiteti, feje a ideologjie tjetër por nga frika e njejtësimit me tjetrin/tjetren, shkrimjes dhe humbjes së tipareve identitare të para-ardhësve…

Personazhi i Tajib Salih nga romani “Koha e shpërnguljes në veri” (në botim të Koha, 2010, shqipnue prej Qemajl Morinës që kaloi në amshim, para pak kohësh) kërkon ndihmë për me u zgjue nga ankthi i historisë – e me marrë anën e jetës kundër vdekjes- dashunisë – mes Jugut e Veriut, Lindjes e Perëndimit. 

“Jemi të njejtë!”-klithë Mustafa, por në Lindje e Perëndim hasë supremacistët që i dalin përballë: ‘Jo, jemi të ndryshëm, aq të ndryshëm sa ferri me parajsën’, bërtasin dhe nxjerrin thikat…

Vrasja e tjetrit/tjerëve vetëm pse e/i perceptojmë të ndryshëm nga vetja ishte projeksion i elitave kulturore e politike të shoqnisë moderne, “mendjes së instrumentalizueme” që rrëshqet në destruksion, rrënim e krim, sidomos në dy luftërat botërore.
Njeriu postmodern vret jo më për qëllimin tonë të fundmë iluminist as për më shumë hapsinë e pasuni, por për ta mbajtur gjallë frikën joracionale ndaj të ardhmes sonë globalizuese.
Vrasja frymëzohet nga manifeste raciste/nacionaluste dhe merr fuqinë ikonike të interesit ma të naltë, përmes medializimit në epokën e teknologjisë së avancueme, pra shfaqjes në kohë reale të krimit në Facebook.


Ne e vrasim tjetrin nga frika se mund të bëhemi si ai/ata, të ndryshmit e deridjeshëm!?
Radovan Karadjić ishte një malazez me origjinë, i pari fshatar i anës së tij i shkolluem. Pra, i pajisun me dije ‘humane’. Dhe në Srebrenica ia ngriti përmendoren e turpit iluzionit europian iluminist.

Fabrikën e zëvendëson kampi. Racionalizmi dhe tekonologjia e naltë e zëvendësuen Zotin. Profesori ushtarin. Politikën e zëvendësoi Biopolitika…
Spastrimi etnik i hapsinës/habitatit prej atyne që perceptoheshin të ndryshëm dhe inferiorë, âsht shndërru në “ideal të ri” të supremacistëve postmodernë, që mos me leju “tanët” me u bâ si ata!?
Kaja belanë, fshatari Radovan dhe vrasja e myslimanëve si dhe miti serb për “Boj na Kosovu”/Beteja e Kosovës, po marrin dimensione të reja, duke u shndërru në kauza ‘të shenjta’ të antiglobalistëve, pa marrë parasyshë racën, etninë ose ideologjinë.
Mosndëshkimi i krimit të Karadjić & Co âsht shndërru në nomos të ri për “njeriun e fundit të historisë” dhe për betejat e tij të përgjakshme, jo mâ kundër diversitetit etnik, fetar e kulturor (komunizmi e luftonte diversitetin ideologjik/politik) por kundër njejtësimit ose frikës së humbjes së identitetit – ‘Identiteteve vrastare’ (Amin Malouff);

Që nga 11 shtatori 2001, vrasja âsht legjitimue si akt dhe ‘art i terrorizmit’ dhe njeriu po prek kulmin e arritjes së tij, sofistikimin e armës (lehtësimin e vrasjeve në masë, madje jo vetëm medializimin e vrasjes pir edhe estetizimin e saj) e cila si një shembull ekstrem i ‘skizofrenisë kulturore’ postmoderne, siç e cilësonte arkitekti Minuro Yamasaki rrënimin e kompleksit Pruitt-Igoe më 15 korrik 1972, që merret si fund i modernes dhe “arti i terrorizmit” (sulmi mbi Kullat binjake në New York) e përshpejtoi rikthimin në post-post, pra në ciklin e gjendjes natyrore.
Francis Fukuyama paralajmëronte se ‘njerëzit e mbramë’ të historisë munden ‘me u zmbrapsë në revolucion’, jo prej nevojës, po prej pakënaqësisë me përparimin.
Ky âsht fundi i tregimit.
Zelanda e Re ishte parajsë e të ndryshmëve të ngjshëm në liri, barazi e vllazni, deri të premten e 15 marsit, 2019 kur u shfaq homo natyralis’ i konceptit voltairéan, i pakënaqun me përparimin. Ai vret ata që i kishte pandehë për anmiq i frijësuem përgjatë rritjes dhe edukimit të tij se ka ne u gâ!?
Qytetnimi po e përjeton fundin e kulturës – bashkëjetesen në diversitet- nga frika e njejtësimit dhe humbjes së cilësive supremaciste dhe identitare përballë dhe ndaj kulturave tjera, nadje edhe ndsj universalismave.
U tha se njâna nga viktimat në xhaminë ‘Al Nur’ të Christchurch në Zelandën e Re sapo e kishte vërejtun terroristin Brenton Tarrant, i kishte dhânë “selam”: ‘Hello brother!’, e sikur donte me ia dhânë mesazhin e Tajib Salih, “jemi të njâjtë” pra, vllazën!?
Mirëpo urrejtja, kjo bijë e frikës, ajo shpërthen…
Ta-ta-ta. Live në “fshatin global”, shkrepun nga nji antiglobalist që ka shumë frikë, i edukuem në frymën e veçimit e supremacisë së qytetnimit Perëndimor.
Nga frika se ka me u bâ si ata!?

Mirëseerdhët në gjendjen natyrore por me armë të shkatërrimit në masë në duar!?