14:10 / E Martë, 23 Maj 2023 / mp

Djalë i ri, por “sherrin e vjetër”, kryetari i Gjilanit s’i përfill procedurat dhe kriteret

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni , si duket nuk e dëgjon shefin e tij Albin Kurtin kur flet për korrupsionin. Në të kundërtën Hyseni nuk do t’i menaxhonte taksat e qytetarëve të Gjilanit me aq shumë parregullsi dhe të punësoj personelin duke i cenuar parimet e konkurrencës.  

Zyra e Kombëtare e Auditorit (ZKA), ka gjetur se gjatë vitit të kaluar kjo komuna përveç punësimeve pa i respektuar rregullat e konkurrencës, ka gjetur edhe moszbatim të procedurave të duhura të prokurimit, tejkalim të kontratave, menaxhim jo të mirë me kontrata, zbatimin e kontratave me procedura të negociuara etj.

Komuna në vitin 2022 i kishte raportuar 29 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta. Ndonëse ka zvogëlim të numrit të tyre nga viti i kaluar 103, megjithatë në 5 mostra të testuara nga ZKA-ja, janë identifikuar se komuna nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit publik për angazhimin e tyre.

“Kontrata e nënshkruara mes kryetarit dhe të angazhuarve ishin për pozitat: zyrtarë në zyrën për Preshevë , Medvegjë dhe Bujanovc, inspektor të shërbimeve publike, inxhinier i komunikacionit, zyrtar për protokoll dhe asistente administrative. Kjo ka ndodhur si pasojë e veprimeve jo adekuate të marra nga kryetari duke iu shmangur kërkesave të parapara me ligjin e zyrtarëve publik”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së moszbatimi i kritereve të përcaktuara ligjore për angazhimin e personave me marrëveshje për shërbime të veçanta cenon parimin e konkurrencës, transparencës si dhe ndikon në diskriminimin e të tjerëve.

Tejkalimi i vlerave të dy kontratave pa arsyetim, sipas ZKA-së ndikon në rritjen e shpenzimeve shtesë të paarsyeshme dhe të paplanifikuara të parasë publike si dhe mund të ndikoi në rritje të obligimeve komunale.

“Komuna kishte bërë tejkalimin e vlerave të  kontratave. Në kontratën publike kornizë me çmim për njësi për “Sanimi, mirëmbajtja dhe zgjerimi i ndriçimit publik në fshatrat e Komunës së Gjilanit” në vlerë 250,000 euro. Sipas raportit të menaxherit të kontratës punë të kryera me këtë kontratë janë 312,575 euro, të cilat ishin paguar. Pra totali i tejkaluar i kontratës është 62,575 euro. Po ashtu edh kontrata e lidhur në prill të vitit 2021, në vlerë prej 60 mijë euro për “Mirëmbajtjen dimërore e rrugëve në Komunën e Gjilanit” , ishin tejkaluar për 18 mijë euro. Për këtë tejkalim nuk ka arsyetim nga menaxheri i kontratës”, thuhet në raport.

Po ashtu edhe  ZKA-ja ka gjetur se si një pagesë për shërbime të zërimit është bërë  pa procedura kontraktuale komuna ka paguar faturën në vlerë prej 5,480 euro, kjo pagesë ishte bërë për shërbimet e zërimit në llogarinë e operatorit ekonomik nga kodi shërbimet teknike me vendim të Kryetarit të Komunës.

Ndërsa komuna kishte lidhur kontrata me negocim pa i përfill procedurat e prokurimit.

“Zyra e prokurimit kishte lidhur dy kontrata për pastrimin e objekteve shkollore, njëra në vlerë mbi 40,262.86 euro dhe një tjetër në vlerë prej 87,377.37 euro deri në zgjidhjen e çështjes së pastrimit të objekteve. duke përdorur procedura të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Zyra e prokurimit në këtë rast është dashtë ta përdorë procedurën e hapur për shkak se asnjë nga kriteret e përmendura nga rregulla dhe udhëzuesi operativ nuk janë plotësuar për ta përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit. Kjo ka ndodhur nga pakujdesia e zyrës së prokurimit për ti respektuar kërkesat e parapara ligjore”, thuhet në raport.

Po ashtu ZKA-ja ka gjetur edhe vonesa në pagesa. “Vonesat janë vërejtur në një rast tek shpronësimet ku vlera e obligimit ishte 296,443 euro dhe në 16 raste vonesa në pagesë në vlerë 397,247 euro, ishin për kategoritë mallra, shërbime dhe investime kapitale. /IndeksOnline/

https://zka-rks.org/wp-content/uploads/2023/05/RaportiAuditimit_K_GL_2022_Shqip.pdf