14:23 / E Enjte, 14 Prill 2022 / B O

Djali i Gaddafit lë Cadillac-un të parkuar për 15 vjet në një hotel

Ish-futbollisti libian Al-Saadi Gaddafi u largua pa paguar nga një hotel me pesë yje në vitin 2007, duke lënë pas një Cadillac SUV të shtrenjtë Escalade ESV në parkingun e hotelit për 15 vjet.

Tani Al-Saadi duhet të paguajë 415,800 euro për ta rikthyer dhe interesant është fakti se ai është djali i të vrarit Muammar Gaddafi, ish-udhëheqësit suprem libian.

Në vitin 2007, Gaddafi po qëndronte në hotelin Excelsior në Rapallo, një qytet në rivierën italiane, ndërsa luante për Sampdoria dhe organizonte rregullisht festa luksoze në apartamentin e tij.

Kur Sampdoria e përzuri nga klubi, Gaddafi u largua nga hoteli pa paguar një faturë prej 450,000 dollarësh, duke e lënë SUV-në e tij, një Cadillac Escalade ESV 6.2, në parkingun përballë hotelit.

“Kemi 15 vjet që presim që zoti Gaddafi të shlyejë faturën. Gjatë viteve të fundit jemi përpjekur shumë herë ta zgjidhim këtë problem, por pa sukses, madje kemi kontaktuar edhe me ambasadën e Libisë në Romë, por ata nuk kanë mundur të na ndihmojnë. Ai e la makinën para hotelit, por ne nuk kemi as çelësat e saj. Në fakt është bërë pak tërheqëse me njerëzit që ndalojnë për ta parë. Ne duhet ta pastrojmë herë pas here sepse një makinë e ndotur jashtë hoteli nuk do të ishte shumë e këndshme për mysafirët dhe nuk ka as targa italiane që nuk mund ta ngisnim”, tha drejtori i Excelsior Aldo Werdin për Daily Mail.

Hoteli e çoi Gaddafin në gjykatë dhe ai u urdhërua të paguante borxhin e tij, si dhe 4,330 dollarë tarifa ligjore nëse dëshiron t’i kthehet makina. Hoteli italian vëren se makina është kthyer në një lloj atraksioni turistik.