12:54 / E Enjte, 16 Maj 2019

Djali i Ukshin Hotit kërkon që mos të ketë dialog me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve

Në 20 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës është mbajtur akademi përkujtimore.

I  biri i Ukshin Hotit, Andini ka ftuar institucionet e vendit që të kushtëzojnë dialogun me Serbinë, që pa u zbardh fati i të pagjeturve të mos ketë marrëveshje përfundimtare.

“Kosova përveç qe u bë shtet ka formuar edhe ushtrinë, platformë që  ka pasur edhe babi im. Në 20 vjetorin e zhdukjes së babit tim, fati i babit dhe i te pagjeturve, është dështimi i organizatave të njeriut dhe institucioneve kosovare dhe faktorit ndërkombëtar. Te pagjeturit kanë vetëm një adresë, është drejtësia, ndërsa Serbia ka filluar edhe t’i mohojë krimet e njohura botërisht. Ftoj institucionet që të kushtëzojë marrëveshjen se pa u ditur  fati i tyre të mos ketë dialog, dhe faktori ndërkombëtar të shtoj presionin ndaj Serbisë”, tha Hoti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur ‘Baba të kombit’  Ukshin Hotin.

“Andin baba yt është baba i kombit. E vërteta për Ukshin Hotin dikush thotë se nuk dihet, ajo dihet çdo ditë, ai ishte veprimtar, kur ka folur ai se Kosova duhet të ketë ushtri, pak kush ka guxuar të flas. Unë besoj shumë se kombi jonë ka perspektivë dhe do të jetë i fortë çdo ditë. Është  i përjetshëm kujtimi për të madhin Ukshin Hoti, ne sot jemi në Kuvend për të kërkuar drejtësi, për të dhe fëmijët e pleq të cilët kanë bërë gjenocid në Kosovë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është nder të jetë këtu dhe që të kontribuojnë në zbardhjen e rastit të Ukshin Hotit.

“I burgosur sepse zbërtheu kërkesat e shqiptarëve, i mënjanuar dhe unik në këndvështrimin politik. Amiqtë e  lirisë nuk i besuan, e hoqën nga burgu dhe e zhdukën. Një intelektual i cili nuk lejoi korruptimin e dijes. Jo rastësisht pushtuesi iu hakmorr. Sot kur po flasim për Ukën, duhet të shtrojmë pyetjen se sa jemi në detyrë të shtet mbajtjes. Jo vetëm si parullë politike, pyetja ‘Ku është Ukshin Hoti?’.  Duhet të kodifikojmë drejtën tonë, që krimet mos të kalojnë pa u dënuar. Të vazhdojmë të ndriçojmë jetën dhe veprën e tij”, tha Haradinaj.

 Ndërsa, kryetari i komunës se Rahovecit, Smajl Latifi tha se pavarësisht se vendlindja e Ukshin Hotit është Rahoveci, kjo akademi po mbahet në Prizren, sepse konsiderohet kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, dhe tempulli i dijes, ku edhe Universiteti i Prizrenit mban emrin e Ukshin Hotit.