13:14 / E Shtunë, 16 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Djegia e makinës së Kozak Braçit, policia zbulon ngjarjen dhe arreston dy autorët: E porositi Kleviol Ahmeti

Është zbardhur ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 2 dhjetorit, ku u dogj makina e personazhit të famshëm të “Tik Tok”-ut, Kozak Braçi, poshtë shtëpisë së këtij të fundit në lagjen “Allias”.

Në pranga për ngjarjen kanë rënë, Dorian Limushaj 40 vjeç dhe Markelino Laho 18 vjeç, të dy banues në Vlorë. Ndërsa në kërkim si porositës i ngjarjes, është shpallur Kleviol Ahmeti, po ashtu një personazh i njohur në rrjetin social “Tik-Tok”, i cili dyshohet se i ka paguar 2 autorët me shumën prej 1500 eurosh për të djegur makinën luksoze tip “GLE Benz” me vlerë rreth 50 mijë euro.

Kjo nuk është hera e parë që Kozak Braçi përfshihet në situata konflikti. Ai ka apeluar më herët që organet e sigurisë të zbardhin ngjarjen, përndryshe planifikon vetëgjyqësi.

NJOFTIMI I POLICISE:


Dogjën një automjet, kundrejt një shume parash, identifikohen dhe vihen në pranga dy autorët e dyshuar. Njëri prej tyre, i arrestuar dhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre, si dhe një 37-vjeçar që porositi djegien e automjetit.

Sekuestrohen veshjet që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, dhe automjeti me të cilin janë larguar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.12.2023, ku në Allias, është djegur automjeti i shtetasit K. B., kanë thelluar veprimet hetimore, për sqarimin e rrethanave dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.

Në lidhje me këtë rast u bë dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i dy prej autorëve të dyshuar, shtetasve D. L., 40 vjeç, dhe M. L., 18 vjeç, të dy banues në Vlorë. Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. N., 24 vjeç, banues në Vlorë, dhe porositësi i djegies së automjetit, shtetasi K. A., 37 vjeç, banues në Lushnjë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi K. A., ka paguar shumën 1500€ për të djegur automjetin e shtetasit K. B., ndërsa dy të arrestuarit, së bashku me shtetasin E. N., kanë siguruar kushtet, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur automjetin. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi M. L., është arrestuar dhe më parë, për të njëjtën veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshjet që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe automjeti me të cilin janë larguar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.