19:36 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / indeksADMonline

DnV: Rritet numri i votuesve, dyfishohen parregullsitë

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka vëzhguar raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Deri në orën 17:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 427,720  qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 31.6% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.

Daljen e votuesve në zgjedhje në komunat më të madhe të Kosovës: Prishtinë (38%), Ferizaj (34.1%), Gjakovë (33.4%), Mitrovicë (32.64%), Podujeva (28.48%), Gjilan (27.64%),  Prizren (23.6%).

Parregullsitë më evidente

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 17:00 janë:

Vështirësitë e votuesve për t’a gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor.

Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 202 vendvotime rreth 11.4% të vendvotimeve. Komunat ku është shënuar ky problem janë në Mitrovicë në 25 vendvotime, Prishtinë në 21 vendvotime, Podujevë në 20 vendvotime, në Prizren në 15 raste.

Votimi familjar është evidentuar:

Gjithsej në 116 vendvotime, përkatësisht në 6.5 % të të gjitha vendvotimeve. Prijnë komunat: Ferizaj në 32 vendvotime, Gjakova dhe Mitrovica në nga 10 vendvotime, Prishtina në 5 vendvotime.

 Fotografimi i votës është evidentuar:

Gjithsej në 54 vendvotime në nivel vendi,  përkatësisht në 3% të të gjitha vendvotimeve. Në komunën e Prishtinës në 10 vendvotime, në Gjakovë në 8 vendvotime, ndërsa në Gjilan dhe Ferizaj në nga 4 vendvotime.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit është evidentuar:

Gjithsej në 29 vendvotime përkatësisht në 1.6% të vendvotimeve. Kjo parregullsi është shënuar më shumë në komunat e Suharekës dhe Podujevës në nga 4 vendvotime dhe Prizrenit në 3 vendvotime.

Asistimi i votuesve më shumë se një herë është evidentuar:

Gjithsej  27 vendvotime (rreth 1.5 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Prizren në 6 vendvotime, Prishtinë në 4 vendvotime ndërsa në Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë në nga 2 vendvotime.

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime është evidentuar:

Gjithsej në 21 vendvotime (rreth 1.2 % të vendotimeve). Prijnë komunat: Podujevë në 4 vendvotime, Gjakovë dhe Prizren në nga 3 vendvotime, në Mitrovicë, Prishtinë, Istogu në nga 2 vendvotime.

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë) është evidentuar:

Gjithsej në 10 vendvotime, ku prijnë komunat: Vushtrri në 2 vendvotime, ndërsa në Gjakovë, Prishtinë, Podujevë, Klinë, Mitrovicë, Suharekë, Ferizaj dhe Istogu në nga 1 vendvotim.

Disa nga parregullsitë e raportuara nga ora 12:00 deri në 17:00:

Në qendrën e votimit 0805 C në vendvotimin 01R në shkollën “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës, brenda në kabinën e votimit është evidentuar shënjimi i njërit prej emrave të kandidatëve për kryetar.

Në qendrën e votimit 1101 B në vendvotimin 01R në shkollën “Shaban Idrizi” në komunën e Mitrovicës, një personit i është gjetur një kopje e fletëvotimit në xhep, I cili është arrestuar nga Policia.

Në qendrën e votimit 1906 E në vendvotimin 07R në Fakultetin Filologjisë në komunën e Prishtinës, ky vendvotim është mbyllur përkohësisht pasi një person ka asistuar më shumë se një herë votuesit për të votuar.

Në qendrën e votimit 2704 B në vendvotimin 05R në shkollën “Mustafë Venhari” në komunën e Vushtrrisë një person ka asistuar më shumë se një herë votuesit, përkatësisht në 3 raste.

Në qendrën e votimit 1104 B në vendvotimin 05R në shkollën “Ismail Qemajli” në komunën e Mitrovicës, një person ka kërkuar fletëvotimi të ri pasi ka deklaruar se ka votuar gabim. Komisioneri i ka mohuar të drejtën e votimit duke refuzuar ti ofroj fletëvotim të ri. Po në këtë qendër të votimit në vendvotimin 07R një person ka dëmtuar librin e nënshkrimeve, duke shënjuar me X emrin e një votuesi me pretendimin se ai nuk voton këtu.

Në qendrën e votimit 1911E në vendvotimin 02R në shkollën “Ismail Qemajli” në komunën e Prishtinës, një person është lejuar që të votoj me certifikatën e lindjes.

Në qendrën e votimit 0401D në vendvotimin 11R në shkollën “Abaz Ajeti” në komunën e Gjilanit, një person ka asistuar një votues duke votuar ndryshe nga vullneti i tij.

Në komunën e Prizrenit, persona me akreditim të skaduar kanë qenë prezent në vendvotim.

Në komunën e Malishevës vëzhguesit po i pengojnë votuesit për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.