16:44 / E Diele, 11 Nëntor 2018 / indeksADMonline

“Do të dështojnë të gjitha përpjekjet e Thaçit dhe Listës Serbe për të sjellë njerëz që mbështesin korrigjimin e kufirit”

Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, konsideron se qëndrimet e ndryshme të presidentit Hashim Thaçi për veprimet e Listës Serbe nuk kanë shpjegim tjetër pos përpjekje për të detyruar qeverinë që ta mbështetë aventurën e tij të rrezikshme të korrigjimit të kufijve.

Ai në një status në Facebook përkujton se në mars të këtij viti, Lista Serbe bëri publik daljen e saj nga Qeveria e Kosovës, por përveç deklarimit publik, kjo “dalje nga Qeveria e Kosovës” nuk u shoqërua me asnjë dorëheqje të asnjë zyrtari, madje zyrtarët e kësaj partie vazhduan të merrnin rrogat nga buxheti i Kosovës dhe ruajtën të gjitha beneficionet që lidhen me institucionin e Qeverisë së Kosovës.

“Duke menduar se e ka mbështetjen e qeverisë, Hashim Thaçi shprehu zhgënjimin e vet për këtë veprim të Listës Serbe dhe deklaroi se “zhvillimet e tilla janë në kundërshtim me angazhimet për dialog për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe cenim i përpjekjeve për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Madje presidenti i Kosovës nuk u ndal me kaq. Ai bëri ftesë që “të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim”, shkruan Sherifi. Ai përkujton se zhvillimet e mëvonshme politike, sidomos që nga dalja publike lidhur me negociatat e fshehta në mes Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, e bindën presidentin e Kosovës se nuk e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për realizimin e projektit për korrigjimin/shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Qëndrimet parimore rreth kësaj çështjeje të Qeverisë së Kosovës dhe të forcave tjera politike në vend, sipas Sherifit, janë arsye e vetme që bënë Thaçin të mbajë një qëndrim të ri për “daljen e re” të atyre që në fakt nuk kishin dalë fare nga Qeveria e Kosovës. “Ende pa dorëzuar dorëheqje asnjë nga funksionarët e Listës Serbe, Hashim Thaçit nuk iu prit të kthehet nga Parisi, por prej Francës kërkoi nga qeveria e Kosovës që “të konfirmojë nëse e ka apo nuk e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur”. Nëse e ka këtë shumicë atëherë Hashim Thaçi jep leje që të vazhdohet puna, ndërsa nëse nuk e ka ky “do të shikojë mundësitë e interpretimeve të kushtetutës për t’u dhënë mundësi qeverisjeje atyre që e bëjnë shumicën”, shkruan Sherifi. Ai shpreh bindjen se do të dështojnë të gjitha përpjekjet e Thaçit që së bashku me Listën Serbe të sjellë në krye të institucionit të Qeverisë së Kosovës njerëz që do ta mbështesin projektin për korrigjim të kufirit.