13:57 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Do të krijohet një task-forcë për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ndërsa ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për krijimin e një task-force të udhëhequr nga kjo Ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.

Edhe sot ajri në kryeqytet vazhdon të jetë shumë i pashëndetshëm për qytetarët.

Bazuar në matjen e bërë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 11:00, vlera e ndotjes ka arritur në 289 që konsiderohet shumë e pashëndetshme.

Sipas rang-listës botërore, Prishtina ende vazhdon të kryesojë këtë listë si vendi me ajrin më të ndotur në botë. Pas Prishtinës, radhitet Pakistani, Kina, Maqedonia, India dhe shumë vende të tjera.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë, e veçmas në Prishtinë, efektet afatshkurta na çojnë drejt rritjes së numrit të të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive te moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjen e shkallës së mortalitetit.

Për shkak të gjendjes alarmante, ISHP-ja apelon të reduktohen daljet në mëngjes dhe mbrëmje.