13:25 / E Mërkurë, 10 Gusht 2022 / C E

Do të zëvendësonte Cristiano Ronaldon, por i është kthyer në barrë Juventusit

Moise Kean, i lindur në Vercelli 22 vjet më parë, një futbollist sa i talentuar aq edhe konfliktual, po krijon jo pak dhimbje koke tek Juventusi. Sulmuesi i ri italian u rrit te “Zonja e Vjetër” dhe në vitin 2019 u transferua tek Evertoni për 27.5 milionë euro. Por ai nuk shkëlqeu “Goodison Park”, por në “Parc des Princes”, ku “ekspozoi” futbollin e tij më të mirë.

Me transferimin e tij te PSG, në Merseyside fërkuan duart, por përsëri, kur u kthye te “Toffees”, shfaqi fytyrën e tij më të keqe: probleme të vazhdueshme sa i përket disiplinës, vonesa në stërvitje apo festa të ndaluara gjatë pandemisë.

Evertonit iu sos durimi me këtë sjellje ndaj vendosi ta kthente në Torino. Juventusi, i tronditur nga largimi i Cristiano Ronaldos dhe duke e ditur se ishte pa një numër 9, pranoi një marrëveshje që edhe sot e kësaj dite e bën me dhimbje koke: huazim për dy sezone me opsion blerjen e detyrueshme për 28 milionë.

Kean premtoi se do ta pranonte sfidën për të zëvendësuar Cristianon, por e vërteta është krejt ndryshe. Shembulli më i afërt në kohë është miqësorja parasezonale kundër Atléticos së Madrid, sfidë në të cilën u përjashtua nga Max Allegri për shkak të vonesës.

Tani, skuadra torineze do të detyrohet të paguajë 28 milionë në vitin 2023 për një lojtar që ka shumë pak minuta në këmbë dhe shfaq probleme të vazhdueshme me disiplinën. Përveç kësaj, nuk ka klube që kanë interes për të.  Pa dyshim, një situatë e vështirë për një lojtar me shumë talent, por me karakter të vështirë.