15:46 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2024 / k.v

Dogana ndalon autobusin/ Parandalohet një rast i kontrabandës në Jarinje (Foto)

Gjatë një kontrolli rutinë, oficerët Doganor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, parandaluan tentim kontrabandimin e mallrave përmes autobusit në pikëkalimin kufitar të Jarinjës.

Në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura në një nga hapësirat e tij.

Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të padeklaruara, përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili. Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4,793.48€. Autobusi është dërguar në terminalin Doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm.

Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës./IndeksOnline/