75 Mall Live Search
12:23 / E Shtunë, 21 Mars 2026 / F.R

Doktoresha kosovare prezanton Kosovën në një ngjarje të rëndësishme në Chicago

Një arritje e rëndësishme për shkencën dhe mjekësinë kosovare është shënuar së fundmi, pasi Prof. Dr. Venera Berisha – Muharremi do të përfaqësojë Kosovën në një nga ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e endokrinologjisë.

Bëhet fjalë për konferencën vjetore ENDO 2026, e organizuar nga Endocrine Society, e cila këtë vit do të mbahet në Chicago, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Punimi shkencor i Prof. Dr. Venera Berisha – Muharremi, i cili trajton efektin e trajtimit të gjëndrës tiroide përmes fotobiomodulimit, respektivisht përdorimit të laserit të nivelit të ulët, është përzgjedhur për prezantim në këtë ngjarje me rëndësi globale. Ky përzgjedhje konsiderohet një vlerësim i lartë për kontributin e saj në fushën e kërkimit shkencor.

Në këtë konferencë marrin pjesë studiues dhe profesionistë nga mbarë bota, duke e bërë atë një platformë kyçe për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimet më të fundit në endokrinologji.

Prof. Dr. Venera Berisha – Muharremi ka shprehur krenarinë e saj për përfaqësimin e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës në këtë event të rëndësishëm, duke e cilësuar këtë si një hap të madh për promovimin e punës shkencore nga vendi ynë në arenën ndërkombëtare./IndeksOnline/