Donika Gërvalla flet pas ngritjes së aktakuzës: Qytetari i Kosovës më njeh mirë, s’pin ujë kjo fushatë, vazhdojmë punën

Donika Gërvallës sot i është ngritur aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë. Kryediplomatja kosovare e ka quajtur si tendencione dhe politike ngritjen e aktakuzës ndaj saj.
Gërvalla ka thënë se do të vazhdojë punën dhe se nuk e ka plan të ndalet.
“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngitur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!
Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë.
Shpresoj që gjykata, e cila duhet të merret me këtë rast, të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë.
Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pijnë ujë.
Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione. Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje në çdo ditë të punës sime kam qenë e ndërgjegjshme që duhet të jemi të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese.
Prandaj ballëhapur dhe me duar të pastra vazhdojmë punën për përfaqësimin dinjitoz të vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit të Republikës, reformimin e institucioneve dhe vënien në vend të ligjshmërisë së shkelur në mënyrën më brutale për kaq vite me radhë” shkruan Donika Gërvalla në reagim./Indeksonline/