14:34 / E Hënë, 01 Qershor 2020 / indeksADMonline

Donika Kadaj ftohet nga gjykata, e cilëson ftesën si urgjencë të çuditshme selektive

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi është ftuar nga Gjykata Themelore.

Indeksonline mëson se deputetja nga Istogu duhet të paraqitet në gjykatë, konkretisht në Departamentin për Krime të Rënda.

Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonlinen vetë deputetja, e cila e ka cilësuar të çuditshëm zellin e qjykatës për trajtimin me urgjencë të kësaj lënde.

“Po, jam ftuar sot nga Gjykata Themelore, Departamenti për Krime të Rënda. Së pari është lajm i mirë që institucionet kanë filluar punën sot, por njëkohësisht i çuditshëm ky zell i gjykatës për ta trajtuar rastin tonë më urgjencë. Kronologjikisht janë rreth 20 kolegë deputetë e ish-deputetë që kanë qenë të arrestuar në lidhje me gazin në Kuvend para Aidës dhe meje, kështu që kjo renditje e prioriteteve të gjykatës dhe aktualizimi i këtyre rasteve në këtë kohë kaq delikate politikisht, është kogja i çuditshëm, dhe përngjason një urgjence tej juridike”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Deputetja Kadaj është ftuar në gjykatë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës sa ishte shefe e Grupit parlamentar të AAK-së në protestat e vitit 2015./Indeksonline