Donika Zogu: Nuk ka vendim zyrtar të BE-së për rialokimin e fondeve për Ballkanin Perëndimor
Anëtarja e Bordit Këshillues Rinor të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Donika Zogu, ka reaguar pas raportimeve mediatike për mundësinë e një rialokimi të pjesshëm të fondeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Zogu ka theksuar se deri më tani nuk ekziston asnjë vendim zyrtar i institucioneve të BE-së për një ndryshim të tillë, duke bërë thirrje që raportimet mediatike të interpretohen me kujdes dhe të priten komunikimet zyrtare.
Ajo ka sqaruar se, edhe nëse diskutime të tilla zhvillohen në nivel institucional, ato janë pjesë e logjikës së politikës së zgjerimit të BE-së, ku fondet ndahen mbi bazën e meritës, progresit në reforma dhe kapacitetit institucional.
Sipas Zogut, Kosova ka bërë hapa konkretë në zbatimin e agjendës së reformave dhe procesi i vlerësimit nga Bashkimi Evropian është i vazhdueshëm, ndaj nuk mund të gjykohet nga një raportim i vetëm mediatik.
Ajo ka përfunduar se integrimi evropian është një proces afatgjatë i bazuar në besueshmëri, rezultate dhe reforma të qëndrueshme, duke theksuar se fokusi duhet të mbetet te puna dhe përmbushja e standardeve evropiane.

