08:37 / E Enjte, 26 Janar 2023 / AR

Donis Avdijaj bëhet me skuadër të re

Futbollisti i kampionit në fuqi të Zvicrës, Zuerichut, Donis Avdijaj, është huazuar te Harbergu i elitës së futbollit austriak deri në fund të këtij edicioni. 26-vjeçari u transferua te Zuerichu zviceran në fillim të muajit gusht, dhe nënshkroi kontratë deri në vitin 2025.

Avdijaj, që ka gjashtë paraqitje e dy gola të shënuar me Kosovën, ka zhvilluar 16-të ndeshje me Zuerichun dhe regjistroi tri gola e një asistim. Lajmi është konfirmuar të mërkurën nga të dyja skuadrat.

“Hartbergu është munduar që të më transferojë në javët e fundit dhe e falënderoj për këtë mundësi. Do të bëj gjithçka që skuadra të stabilizohet për ndeshjet e ardhshme, në mënyrë që ta arrijmë objektivin”, është shprehur Avdijaj për rikthimin e tij te Hartbergu.

Me Hartbergun, Avdijaj ka kaluar 11-të muaj, nga shtatori i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2022. Kishte zhvilluar 23 ndeshje, dhe kishte kontribuuar me shtatë gola e dy asistime.