23:30 / E Enjte, 24 Mars 2022 / OSH

Dorëzohet Beogradi, caktohen katër komuna në Serbi, ku do të votojnë serbët e Kosovës

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi sonte ka marrë një vendim përfundimtar për votuesit nga Kosova, se ku do votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit.

Ata mund të votojnë në qendrat e votimit në katër komuna të Serbisë – Bujanoc, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.

Sipas gazetës Danas, vendimi është marrë për shkak se autoritetet e Kosovës dhe Beogradi zyrtar nuk kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të prillit në Kosovë, apo sepse Prishtina i ka ndaluar ato.

Disa anëtarë të KRZ-së kishin kundërshtime ndaj këtij vendimi, duke pretenduar se ai ishte në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e Serbisë.

Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore./IndeksOnline/