22:40 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Dortmund njoftohet me humbjen në Bundesligë

Borussia Dortmund ka pësuar humbjen e parë të sezonit ndaj vendot të 15-të Dusseldorf me rezultatin 2-1.

Skuadra e Favre ka qenë e përgjumur gjatë pjesës së parë dhe e ka paguar shtrenjtë. Bayern do të ketë mundësi të mërkurën të ngushtojë diferencën me kryesuesit.

Vendasit e nisin më mirë ndeshjen se kryesuesit dhe në minutën e 10’ humbin një mundësi të mirë me Takashi Usami.

Por në minutën e 22’ erdhi goli i avantazhit. Ishte pikërisht Dodi Lukebakio ai që pas një aksioni personal doli vetëm për vetëm me portierin, e driblon dhe shtyn topin në portën e boshatisur.

Pas pushimit erdhi shuplaka e dytë e vendasve. Jean Zimmer lëshon një goditje të pakapshme nga distanca duke mposhtur portierin Burki.

Goli i dytë ishte shumë i rëndë për miqtë që mundohen të bëjnë diçka më shumë për të hapur ndeshjen, por e kanë shumë të vështirë dhe duken të befasuar nga forma e mirë e ekipit që para ndeshjes ndodhen në vend të 17-të.

Në minutën e 81’ Dortmund ngushton diferencën me golin e Paco Alcacer. Ishte një aksion model nga kryesuesit e kampionatit, me Sancho që pasi dribloi dy-tre kundërshtarë pason te Piszczek i cili fut një kros të bukur në zonë që finalizohet nga Alcacer me kokë.

Por minutat e mbetura nuk mjaftojnë që Dortmund të shpëtojë të paktën një barazim nga kjo sfidë.