12:27 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020 / indeksADMonline

Dosjet speciale

Shkruan: Halit Krasniqi

Kapitulli i kopjimit të dosjeve të Gjykatës Speciale të dërguara në zyrën e OVL-UÇK-së, do të jetë temë e gjatë dhe shumë intriguese. Aq më shumë tani pas arrestimeve të dhimbshme të protagonistëve që dhuna serbe ka gjurmët në trupin dhe jetën e tyre, të cilët nuk do të duhej të ndëshkoheshin sërish. Aq më pak nga ky institucion i drejtësisë, por të dërgoheshin në plazhe të ngrohta pushimesh e në banja rehabilituese për shëndetin e tyre, të shoqëruar me ndonjërin nga familjarët e tyre.  

Opinionit tonë aktualisht nuk i intereson aq adresa nga vijnë këto dosje, madje edhe më pak identiteti personal i autorëve që i sjellin ato dosje. Por njohësve të proceseve politike dhe segmenteve të caktuara në shoqërinë tonë, ju intereson shumë madje, identiteti i protagonistëve dhe adresa nga vijnë ato, jo për të tjerat arsye që edhe janë me relevancë, por për t’i falënderuar, sepse kanë dekonspiruar dhe kanë denoncuar bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën Speciale, në themelimin e se cilës fatkeqësisht bashkë autorë jemi bërë ne e bashkësia ndërkombëtare.  

Ndërsa përmbajtja e këtyre dosjeve kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, dëshmojnë për adresën ku ka lindur ideja për themelimin e kësaj gjykate, që ka pasur qëllimin kryesor, ndryshimin e perceptimit në opinionin botëror, për adresën e krimeve, përkatësisht relativizimin e krimeve të Beogradit. Pastaj, për amnistimin e formacioneve të krimineleve serbë të cilët në emër të Serbisë gjakatare kanë bërë masakra të dëshmuara nga rrëfimet e të gjallëve që kanë shpëtuar në rrethana të ndryshme fati dhe janë varrezat masive anë e kënd Kosovës të 13 mijë e 500 të vrarëve civilë të pa mbrojtur dhe në mesin e tyre mijëra fëmijë njomëzak dhe të tjerë në mosha të thella pleqërie si dëshmi e krimit të jashtëzakonshëm.  

Duke u hendikepuar me trillimet e Serbisë të administruara nga një euro deputetë të një shteti neutral, siç është Zvicra, i cili jo rastësisht ishte përzgjedhur për t’u bërë zëdhënës i trillimeve hiçkokiane të Serbisë, për satanizimin e UÇK-së nëpërmes institucioneve të BE-së, siç është Këshilli i Evropës, i cili nga ky moment i iniciuar ka pësuar në përformancën e vet, duke u kthyer në shërbim të asaj makinerie vrastare që ndërgjegjja botërore e kishte aktivizuar një kapacitet të pa njohur deri atëherë,  të aeroplanëve bombardues të NATO-s, duke goditur në caqe të caktuara, për t’i ndalur forcat vrastare të Serbisë, që vrisnin e dëbonin shqiptarët  në mënyrë masive nga trojet e veta. 

Me një dosje rrëqethëse të fantazuar me përshkrime monstruoze të prezantuara para euro deputetëve, e sfidoi ndërgjegjen e tyre për ta rritur obligimin në vërtetësinë e rrëfimeve të tij. Gjithashtu grishi edhe ndërgjegjen njerëzore të opinionit evropian e botëror. Duke filluar me një nismë individuale, krijoj vullnete të shumicës së euro deputetëve për të marr vendime në hetimin e kësaj çështjeje për të krijuar një përshkrim imagjinar realisht, por me efekte sugjestionuese faktikisht për të prodhuar dilema se edhe mund të ketë diçka të vërtetë. Dhe sado pak të kishte diçka të tillë, ishte tmerruese dhe doemos imponohej për hetim. 

Ato që mund të kishin bërë repartet e vdekjes së Serbisë që  ishin profesionalizuar për vrasje e dëbime për një dekadë krimesh e luftërash në Kroaci e Bosnjë dhe Hercegovinë dhe që kishin bërë krime me vrasje individuale e ne masë të madhe edhe në Kosovë njëherazi në përmasa gjenocidi, të cilat janë të faktuara tashmë më dëshmi të filmuar e me gjurmë varresh masive. Gjithashtu edhe për mijëra të zhdukur ende edhe sot, dëshmitë i kanë institucionet vendore e ndërkombëtare që merren me të zhdukur.  

Fati i të cilëve nuk dihet se ku është këputur e as mënyrat e vrasjeve. Sikurse as kufomat e djegur, as nga mijëra të zhdukurit nuk mund të vërtetohet se a u janë hequr organet e tyre vitale. Në vend që ne të kërkonim hetime dhe të bënim këso akuza për dyshime të mundshme për heqje të organeve dhe të kërkonim hetime plotësuese për të vrarët nga plumbat e të djegur nga zjarri për të zhdukurit tanë, Serbia ndërthuri fragmente narrative përmes euro deputetit dhe imponoi hetim ndërkombëtar duke imponuar themelimin e Gjykatës ndërkombëtare, duke imponuar votim të saj edhe në Kuvendin e Kosovës. Me këtë veprim është krijuar një damkë në ndërgjegjen tonë para opinionit ndërkombëtar, duke krijuar dyshimin se kush është dhunuesi e kush viktima dhe një fakt të ri pas luftës tonë çlirimtare, për të rritë armiqësitë në mes nesh, duke kërkuar fajtorin për këtë dobësi tonën në këtë proces.  

Kështu u bëmë ne e bashkësia ndërkombëtare, bashkëthemelues të një institucioni ndërkombëtar për të vërtetuar një trillim të thurur në Beograd nga një makineri prokurorësh e hetuesish që kishin prodhuar për vite të tëra akuza monstruoze ndaj shqiptarëve. Duke arkivuar rreth 30 mijë faqe trillime dhe këto i kanë dorëzuar në Gjykatën Speciale, përkatësisht në zyrën e Prokurorisë së specializuar, duke i lajthitur e nxitur për të hetuar këtë stivë kaq voluminoze me përshkrime të trishtueshme që vetëm fantazitë e adresave të caktuara në Beograd që kanë ditur t’i prodhojnë.  

Ky fakt bashkëpunimi po vërtetohet me këto kopje të dosjeve të Gjykatës Speciale që po vijnë në adresë të OVL-UÇK-së në Prishtinë, të cilat po sjellin dëshmi të argumentuara që kjo Gjykatë është ngritur mbi malin e dosjeve të ideuara nga Serbia me identitete dëshmitarësh që kanë qenë protagonistë të makinerisë së krimeve serbe mbi shqiptarët në role të ndryshme, kush si vrojtues e informator për lëvizjet dhe organizimet çlirimtare të shqiptarëve dhe kush si vrasës e ekzekutues të masakrave mbi popullsinë e pa mbrojtur të shqiptarëve. Këta dëshmitarë që figurojnë në këto dosje, të cilët tani janë të njohur e të dekonspiruar nga këto dosje, është dashur të jenë të akuzuar pas luftës sonë çlirimtare nga institucionet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare dhe jo tani të bëhen dëshmitarë monstruoz, identiteti i të cilëve tani më është i njohur.  

Ata tashmë të dekonspiruar e dinë se kjo gatishmëri që kanë treguar, epilogun e ka në ndëshkimin e pa evitueshëm të tyre, sado që mund të fshehën me identitete të ndryshuara e të akomoduar në adresa të pa njohura  fillimisht për publikun. Kështu si janë identifikuar nga këto dosje edhe për kundër premtimeve dhe garancive se identiteti i tyre do të mbetet anonim, po kështu do të zbulohen e identifikohen nesër edhe adresat e qëndrimit të tyre anonim, kudo që të gjenden. Gjithsesi do të dekonspirohen nga një ndërgjegje e vrarë anonime me origjinë ballkanase apo nga ndjenja e përgjegjësisë nga një ndërgjegje e emancipuar evropiane që ka edukatë denoncimin e krimeve dhe ndëshkimin e autorëve të tyre.