75 Mall Live Search
23:40 / E Enjte, 02 Korrik 2026 / H F

Drake bëhet “temë” universitare në Montreal, kursi i ri analizon karrierën dhe ndikimin e tij në muzikë!

Reperi i njohur kanadez Drake do të jetë në qendër të një kursi universitar në Universitetin Concordia në Montreal, duke filluar nga semestri i vjeshtës 2026.

Lënda, e titulluar “Drake: Media, Miti dhe Maskuliniteti”, do të analizojë karrierën e artistit nga Toronto, ndikimin e tij në industrinë muzikore, mënyrën se si është ndërtuar imazhi i tij publik, si dhe mekanizmat që formësojnë industrinë globale të muzikës.

Kursi do të jetë pjesë e programit më të gjerë “Hip-Hop: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja” dhe do të drejtohet nga reperi dhe profesori Yassin “Narcy” Alsalman, ish-student i Universitetit Concordia, i cili rikthehet si pedagog. Më herët, ai ka zhvilluar edhe kurse universitare kushtuar reperit Kanye West.

 Gjatë leksioneve do të trajtohen ngritja e kompanisë diskografike OVO të Drake, marrëdhënia mes artit dhe kapitalizmit, si dhe sfidat me të cilat përballen artistët në industrinë moderne të muzikës.

Sipas përshkrimit të lëndës, kursi do të shqyrtojë edhe çështje si kontrolli i kompanive diskografike, fenomeni i “stream farms” (rrjete që rrisin artificialisht dëgjimet në platformat muzikore) dhe paditë që artistë të njohur kanë ngritur ndër vite ndaj industrisë muzikore.

Programi synon të analizojë jo vetëm suksesin e Drake si artist, por edhe ndikimin e tij në kulturën pop dhe mënyrën se si funksionon industria bashkëkohore e muzikës.

Drake, emri i vërtetë i të cilit është Aubrey Drake Graham, është një reper, këngëtar dhe producent kanadez, i konsideruar si një nga artistët më të suksesshëm të dekadës së fundit.

Ai u bë i njohur fillimisht si aktor në serialin kanadez “Degrassi: The Next Generation“, përpara se të dominonte skenën muzikore me hite si “God’s Plan“, “One Dance“, “Hotline Bling” dhe “In My Feelings“. Me dhjetëra çmime dhe miliarda dëgjime në platformat streaming, Drake ka ushtruar një ndikim të madh në muzikën hip-hop dhe pop në mbarë botën.